Inteligjenca Artificiale, inovacioni dhe trajnimi i punonjësve të administratës publike ishin fjalët kyçe të ditës së sotme në trajnimin me temë “Transformimi Digjital i Punës në Administratën Publike – Inteligjenca Artificiale Gjenerative”, organizuar nga Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin në bashkëpunim me Agjencinë e Inovacionit dhe Ekselencës.
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, tha se ky trajnim i njeh punonjësit e administratës publike me bazat e platformave të Inteligjencës Artificiale në punën e përditshme.
“Sot Inteligjenca Artificiale përdoret rëndom për të kryer çdo lloj pune që është rutinore, por dhe mbi të gjitha për të na kursyer shumë kohë në proceset tona të punës analitike dhe duke na sjellë dhe një sens të ri dhe një kuptim të ri mbi kohën dhe produktivitetin në punë”, u shpreh ministrja Pirdeni.
Përmes shembujve praktikë dhe interaktivitetit me të pranishmit në sallë, drejtoresha e Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës, Enkelejda Imeraj, njohu punonjësit e administratës me mënyrat më efektive për të përdorur platformat e Inteligjencës Artificiale si “Chat-GPT”, “Copilot” dhe “Gemini” por edhe me përgjegjësitë që shoqërojnë një risi të tillë, të cilat duhet të udhëhiqen nga etika, përgjegjshmëria dhe transparenca.
Qeveria shqiptare më parë ka nisur të pilotojë përdorimin e Inteligjencës Artificiale në harmonizimin në shqip të legjislacionit të Bashkimit Europian. Iniciativa të tilla sjellin përfitime sa më të prekshme në administratën publike.