Nga dhitë e trafikuara në Korçë, tek “Krapi” në Shkodër, çndodhi në 24 orë me operacionet policore
Një 37-vjeçar nga Malësia e Madhe është proceduar penalisht nga Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin, ndërsa akuza e “rëndë” që është ngritur ndaj tij është ajo e “Peshkimit të ndaluar”. Shtetasit E.Sh, i është sekuestruar peshku që kishte kapur gjatë ditës, pajisjet elektrike të peshkimit, një automjet që bënte transportin nga Liqeni i Shkodrës në banesë apo zonat e tragtimit e anasjelltas dhe një mjet lundrues. Policia e Shkodrës ndau pamjet e “megaoperacionit” të koduar “Syri i Sheganit”, teksa ndau një deklaratë të gjatë për mediat. Blutë thonë se 37-vjeçari u kap në flagrancë, teksa peshku i kapur mendohet të jetë “Krap” duke qenë se në Liqenin e Shkodrës është nga më të pranishmit. E ky operacion vjen pak kohë pas një tjetër ndërhyrje të policisë kufitare të Korçës, ku policia kapi dhe sekuestroi një tufë prej 28 dhishë, që dyshohet se hynin ilegalisht nga Maqedonia e Veriut, ndërsa pronari i tyre është arrestuar.
Aksioni ka angazhuar mbi 10 forca policie ndërsa bilanci është prangosja e fermerit trafikant. Emri i operacionit në fjalë kodohej “Përsëritësi” ç’ka lë të kuptohet se edhe më parë shtetasi D.Xh kishte trafikuar dhi, dele, lopë apo kuaj… Policia e Korçës paralajmëroi se vijon puna hetimore për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të kundërligjshme. Por ndonëse peshkut në rastin e Shkodrës mund ti gjendet zgjidhja pasi i duhen shumë pak kohë për tu shuar nga jeta pasi del nga uji, dhe në kushte frigoriferike mund të mbijetojë deri në fund të hetimeve, ende nuk dihet fati i dhive të Korçës që u kapën të gjalla, nëse janë nxjerrë në kullota apo janë akomoduar me regjim stallor.