WebLajm ka siguruar dosjen e tjetërsimit të mijëra metrave katrorë tokë në Durrës, ku Prokuroria e Durrësit ka lëshuar masa sigurie për 16 persona.
Në dosjen e Prokurorisë zbërthehen me detaje skemat manipulative për të kthyer tokën shtet në private. Bëhet fjalë për 2 raste të ndryshme, për një tokë 75 mijë metra2 dhe 76 mijë metra2 tokë.
Sa i përket rastit të parë prej 75 mijë metrash katrorë, tokën e përfitoi një person i vetëm që më pas e shiti për 20 ditë.
Tokat ishin regjistruar në emër të një personi të quajtur Lirim Xhameta, që në fakt nuk ishte e tija. Ai ka pretenduar para hetuesve se u kontaktua nga një person i quajtur Diti në vitet 2018-2019 për të përfituar një sipërfaqe toke duke qenë se Lirimi ka qenë punëtor ferme. Pasi i plotësoi dokumentacionin, i tha se do t’i jepte 2 milionë Lekë të vjetra në këmbim të tokës, të cilën Lirim Xhameta as nuk kishte dijeni se ku ndodhej.
Akti i marrjes së tokës në pronësi në emër të Xhametës rezulton që në qershor 1999 dhe dyshohet se është tërësisht i falsifikuar pasi vetë Lirim Xhameta nuk ka asnjë dijeni se ka përfituar tokën si ish-pronar dhe aq më tepër në sipërfaqe kaq të madhe. Regjistrimi i kësaj toke është futur arbitrarisht në arkivën e Kadastrës së Durrësit në vitin 2019, në numër reference të vitit 2010.
Për të regjistruar të katër pasuritë në emër të Lirim Xhametës, Gjovalin Ndoci ka dorëzuar fillimisht te noteri dhe më pas në ASHK certifikata pronësie dhe harta treguese të falsifikuara si të jenë të vitit 2010 dhe kartela pasurie në emër të Lirim Xhametës, por pa datë regjistrimi. Këto janë bërë nga juristi Mikel Zako dhe hartografi Malvino Turku, të ngarkuar nga përgjegjësia e zonës Albana Gjoni dhe të gjitha veprimet në ASHK janë bërë në një ose dy ditë. Të gjitha veprimet e para në maj 2019 janë bërë nga ish-juristja në ASHK Durrës, Aida Kila.
Tokën e dytë prej 76 mijë metra2, ishte regjistruar në emër të Dilaver Taulla, i cili ka ndërruar jetë në vitin 2003.
Për këtë rast, Prokuroria e Durrësit ka pyetur Dashnor Taulla, i cili ndër të tjera ka deklaruar se rreth muajve Maj – Qershor 2019, i njohuri i tij Krenar Karati i ka thënë se njihte një shokun e tij që t’i rregullonte dokumente që të përfitonin tokë. Më pas janë takuar Dashnori dhe Krenari me shtetasin Ardit Kërtusha dhe ky i fundit i ka marrë përsipër që t’i regullonte tokë, pasi sipas Arditit i takonte sipas ligjit. Pasi kanë rënë dakord pjesëtarët e familjes Taulla kanë shkuar të gjithë tek
Zyra Noteriale e noterit Juled Begiraj kanë firmosur disa dokumente, por pa i specifikuar se çfarë ishin konkretisht, por ishin pikërisht për këtë pasuri që kishin biseduar Dashnori, Krenari dhe Arditi. Në vijim Dashnor Taulla ka deklaruar se që nga ajo ditë nuk e ka takuar më shtetasin Ardit Kërtusha dhe se nuk ka përfituar asgjë nga ky veprim. Pas disa muajsh ai i ka thënë Krenarit se cfarë u bë me tokën dhe Krenari i ka thënë që shkojmë të takojmë Arditin. Arditi i ka thënë që e kam sqaruar Krenarin për tokën dhe nuk kam pse të sqaroj dhe ty e në vijim kanë debatuar Dashnori me Arditin. Pasi janë ndarë, Dashnori i ka thënë Krenarit që t’i bënte mirë llogaritë se mos na dilte ndonjë problem e Krenari i ka thënë që cdo gjë është në rregull dhe se Arditi do i regullonte këto punë.
Prokuroria ka kryer veprime hetimore intensive prane ASHK Durrës në lidhje me regjistrimin fillestar të këtyre pasurive dhe vijimin e tyre, nga të cilat ka rezultuar se ky akt dyshohet se është tërësisht i falsifikuar pasi rezulton se shtetasi Dilaver Taulla ka vdekur në vitin 2003 dhe sic rezulton nga deklarimet e trashëgimtarëve asnjë prej tyre nuk ka pasur dijeni në vitin 2010 se babait të tyre të ndjerë i takonte toke në Spitallë si ish-pronar.
Prokuroria e Durrësit thotë se i gjithë mekanizmi i kryerjes së veprave penale si në rastin e parë të përfitimit të sipërfaqes prej 75,000 m2 shtetasit Lirim Xhameta, ashtu dhe në rastin e dytë të përfitimit të sipërfaqes prej 76,000 m2 të shtetasit të ndjerë Dilaver Taulla është identik dhe ka dyshime të arsyeshme që të jenë të njëtët autorë.