WebLajm mëson se apartamenti i sekuestruar si pasuri e fshehur Fatos Tushes është 2+1 në katin e 6 ndërtim në një pallat të ri në Vlorë.
Kjo pronë u zbulua gjatë kontrollit të telefonit të ish kryebashkiakut dhe komunikimeve në whatsup, ndërsa hetimi pasuror ndaj tij vijon.
Ai u dënua me 2 vite e 4 muaj burg dhe pak javë pasi la qelinë rrezikon të përfundoj sërish në burg, me një tjetër akuzë.
Ky hetim ndiqet nga Prokuroria e Posaçme Manjola Kajana, ndërsa Tushe para mediave pranoi se ishte në Spak për një pasuri të fshehur.
Nuk dihet nëse Tushe e ka blerë apo firma që merret me ndërtime ja ka dhënë në këmbim të ndonjë favori. Pasuria për të cilën Spak dyshon se Tushe e ka fshehur është regjistruar në emër të kompanisë DELMONDO me seli në Vlorë.
Njoftimi i SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, po kryen hetime në kuadër të procedimit penal nr. 199/1, të vitit 2021,(të ndarë nga procedimi penal nr. 199/2020), për veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2, i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit Fatos Tushe, me detyrë ish-Kryetar i Bashkisë Lushnjë.
Pas kryerjes së veprimeve hetimore, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me Vendimin Nr. 136, datë 29.02.2024, ka vendosur:
1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
2. Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale, mbi pasurinë e paluajtshme të identifikuar si “Pasuria Nr. 40/267/4+1-21, Z.K 8602, lloji i pasurisë “apartament”, me sipërfaqe 75.3 m2, me vendodhje në Lungomare, Vlorë”.
Hetuesit Financiarë dhe Oficerët e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë marrë masat për ekzekutimin e Urdhërit të Prokurorisë së Posaçme datë 04.03.2024, nxjerrë mbi bazën e vendimit penal të mësipërm të marrë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Nga hetimi paraprak i kryer në kuadër të këtij procedimi penal ka rezultuar se, personi nën hetim Fatos Tushe, gjatë kohës që ka ushtruar detyrën e Kryetarit të Bashkisë Lushnje, nuk ka deklaruar apartamentin në Lungomare Vlorë, pasuri e cila është e regjistruar në emrin e një kompanie që operon në fushën e ndërtimeve, por që posedohet nga personi nën hetim.
Nga ana jonë vijojnë veprimet proceduriale për vërtetimin e akuzës në hetim.