Fredi Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës që vuan dënimin me 2 vite burg për blerje votash, është kandidat i Greqisë për eurodeputet të partisë greke të Mitsotakis, “Demokracia e Re”.
Ai dhe peshëngritësi Piro Dhima janë dy kandidatët e partisë së Mitsotakis, së bashku me 40 kandidatë të tjerë që janë pjesë e listës.
Ata do të kandidojnë për eurodeputet nën siglën e partisë Demokracia e Re në zgjedhjet e BE-së më 9 Qershor të këtij viti.
I pranishëm në aktivitetin e “Demokracisë së Re” në Greqi për prezantimin e listës së kandidatëve për eurodeputet ka qenë vëllai i Fredi Belerit.
Përzgjedhja e emrit të Fredi Belerit mori duartrokitjet e të anëtarëve të Demokracisë së Re, kjo edhe për shkak të ngërçit që shkaktoi në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Fredi Beleri është i dënuar me 2 vite burg në Shqipëri për blerje votash. Ai fitoi zgjedhjet për Bashkinë e Himarës, por nuk arriti ta merrte detyrën pasi u arrestua 2 ditë para zgjedhjeve vendore të vitit të kaluar. Greqia ka kërkuar vazhdimisht lejimin e tij të betohej si kryetar, por gjykata e ka refuzuar.
Çështja aktualisht është në Apel dhe nëse vendimi i dënimit merr formë të prerë, atëherë në Bashkinë e Himarës do të shpallen zgjedhje të reja të parakohshme.
/tvklan.al