Bashkëshorti i ministres Delina Ibrahimaj është përfshirë në një konflikt fizik me Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Trajtimit të Kredive. Sherri ka ndodhur më 20 Nëntor 2023 pranë lokalit ‘Te Bacja’ të bashkëshortit të ministres, Andri Ibrahimaj, që ndodhet në zonën e Pazarit të Ri në Tiranë.
Ka qenë Eri Koshaj, drejtori i Agjencisë së Kredive, i cili kallëzoi bashkëshortin e ministres. Sipas dosjes së Prokurorisë së Tiranës, konflikti mes tyre ndodhi pasi Eri Koshaj e kishte ofenduar rëndë nga bashkëshortja Andri Ibrahimajn.
Të dy u goditën me grushte. Koshaj pretendon se u godit nga Ibrahimaj me thikë apo me send të mprehtë. Prokuroria thotë se Koshaj ka pësuar dëmtime fizike në pjesën e fundshpinës, jo të rrezikshme për jetën, por që hyjnë në kategorinë e dëmtimeve deri në 9 ditë. Nga ana tjetër, bashkëshorti i ministres Ibrahimaj pretendon se nuk e ka goditur me mjet të mprehtë dhe se të dy janë dëmtuar pasi u rrëzuan përtokë kur u konfliktuan.
Nga akt-ekspertimi rezulton se drejtori i Agjencisë së Trajtimit të Kredive kishte pësuar dërmishtje me përmasa 3×3 cm të shkaktuara nga një mjet prerës.
Nga provat e administruara në fashikullin hetimor, rezulton se në datën 20.11.2023, rreth orës 09:30, në rrugën “Tefta Tashko-Koço” përballë lokalit “Te Bacja”, që administrohet nga shtetasi Andri Ibrahimaj, kallëzuesi Eri Koshaj është konfliktuar fizikisht me shtetasin Andri Ibrahimaj (personi i kallëzuar), ku si pasojë e goditjeve Eri Koshaj ka pësuar dëmtime në trup që hyjnë në kategorinë e dëmtimeve deri në 9 ditë. Konflikti fizik midis këtyre shtetasve dhe goditjet nuk rezultojnë të jenë kryer për shkak të detyrës.
Sipas Prokurorisë, Eri Koshaj në momentin që ka ndodhur konflikti nuk ka qenë në kryerje e sipër të detyrës së tij. Së dyti ka qenë shtetasi Eri Koshaj i cili ka shkuar përballë lokalit “Te Bahçja” që administrohet nga shtetasi Andri Ibrahimaj dhe konflikti fizik ndërmjet tyre ka ndodhur përballë lokalit dhe jo pranë vendit të punës se shtetasit Eri Koshaj.
Sipas shtetasit Andri Brahimaj, ky i fundit e ka goditur shtetasin Eri Koshaj për shkak se ai e ka ofenduar rëndë nga bashkëshortja. Ky motiv i konfliktit fizik konfirmohet edhe nga bisedat e regjistruara në WhatsApp të zhvilluara ndërmjet shtetases Teuta Rino (nëna e Andri Ibrahimaj) dhe shtetasit Eri Koshaj.
Motivi i pretenduar nga ana kallëzuesit Eri Koshaj, se është goditur për shkak të detyrës, për arsye se shtetasi Olsi Meneri, shok i Andri Ibrahimaj, ishte shkarkuar nga detyra në institucionin që drejton Eri Koshaj, përvec deklarimeve të dhëna nga kallëzuesi nuk rezulton të jetë i mbështetur në prova të tjera. I pyetur në lidhje me këtë ngjarje, shtetasi Olsi Meneri ka mohuar që të jetë ankuar tek shtetasi Andri Ibrahimaj për largimin e tij nga detyra apo të ketë shtyrë atë që të konfliktohej me shtetasin Eri Koshaj. Gjithashtu, nga bisedat e regjistruara dhe depozituara nga ana e kallëzuesit Eri Koshaj, nuk rezulton që shkaku i konfliktit fizik të ketë qenë detyra e kryer nga ana shtetasit Eri Koshaj.
Kallëzuesi Eri Koshaj ka depozituar një USB ku ka regjistruar disa biseda të kryera me
shtetasen Tuta Rina, biseda të kryera në aplikacionin WhatsApp dhe disa biseda ambientale të zhvilluara ndërmjet tyre në një ambient kafeneje.
Bisedat e kryera në aplikacionin WhatsApp janë printuar dhe nga leximi i përmbajtjes së tyre rezulton se Teuta Rino bisedon me shtetasin Eri Koshaj në lidhje me këtë ngjarje duke u shprehur e shqetësuar se përse kjo ngjarje kishte ndodhur dhe duke i kërkuar falje e kishte këshilluar që të dy djemtë të mos grindeshin me njëri-tjetrin, pasi ajo i konsideronte ata si dy vëllezër. Gjithashtu gjatë bisedave evidentohet fakti se grindja kishte ndodhur për shkak se Eri Koshaj i kishte sharë bashkëshorten shtetasit Andri Ibrahimaj dhe se në grindje e sipër ky i fundit e kishte goditur me gozhdë.
Biseda ambientale e regjistruar nga vetë shtetasi Eri Koshaj e kryer me shtetasen Teuta Rino, nëna e Andri Ibrahimaj, duket se është kryer në një ambient publik kafene.
Nga bisedat dy personat flasin për një person të tretë Olsi ku duket se të dy e njohin shumë mirë dhe gruaja e këshillon Eri Koshajn që “Olsin do ma mbash mirë”. Në lidhje me këto biseda nuk vërtetohet data se kur është kryer regjistrimi i tyre.
Për këtë arsye, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar pushimin e cështjes “goditje për shkak të detyrës” dhe e ka klasifikuar ngjarjen si dëmtime të tjera me dashje dhe fyerje. Këto dy vepra penale nuk hetohen nga Prokuroria, por ndiqen nga viktimat në gjykatë.
REAGIMI I MINISTRES DELINA IBRAHIMAJ PAS LAJMIT TË BOTUAR NË MEDIA:
Jam e keqardhur që 5 muaj pas një konflikti të padëshiruar, i cili ka kaluar në rrugën e drejtësisë dhe ka marrë përgjigje po në atë rrugë, sot më duhet të jap shpjegimin tim. Nuk kam asnjë arsye të fajësoj askënd lidhur me publikimin e këtij fakti, por kam detyrimin të sqaroj elemente që e bëjnë të plotë vërtetësinë e tablosë së ngjarjes.
Konflikti ka ndodhur pranë vendit të punës së bashkëshortit tim, jo në zyrat e shtetit dhe pasi është hetuar nga organet e drejtësisë në bazë të kallëzimit të bërë nga pala tjetër është pushuar për mungesë provash. I vetmi ndikim i imi në këtë proces ka qenë se nuk e kam lejuar bashkëshortin të bëjë kallëzim, pikërisht sepse personi në fjalë ka qenë drejtues i një institucioni varësie kur kam marrë detyrën si Ministre e Financave dhe s’kam dashur në asnjë mënyre që familja ime të marrë iniciativën.
Një element tjetër lehtësisht i provueshëm është se pavarësisht dinamikës së ngjarjes dhe faktit që bashkëshorti im ka qenë padrejtësisht i kallëzuar për dicka që nuk e ka bërë, ashtu si konfirmohet nga vendimi i organeve të akuzës, pala kallëzuese ka vijuar të qëndrojë në vendin e punës edhe pas largimit tim nga funksioni i Ministres së Financave dhe Ekonomisë 7 muaj më parë.
Nuk besoj se është e nevojshme në këtë pikë, por po sqaroj sidoqoftë se nuk kam pasur asnjë konflikt me kallëzuesin gjatë gjithë kohës së qëndrimit tim në atë detyrë, siç nuk kam pasur asnjë konflikt me asnjë person në varësine time.
Ky fakt besoj e thotë vetë të vërtetën që konflikti në fjalë, nuk ka pasur asnjë lidhje me mua apo detyrën time. Padyshim do të kishte qenë me e mira që të mos kishte ndodhur, por nganjëhere zhvillimet e padëshiruara në marrëdheniet me të tjerët na zgjedhin, nuk i zgjedhim. Por e përsëris që kjo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me institucionet shtetërore, me funksionet e institucionit që kam drejtuar dhe me mua personalisht. Ndërkohe e mirëkuptoj me keqardhje faktin se pikerisht për shkak të detyres dhe angazhimit tim publik, nje ngjarje e 5 muajve të shkuar bën sot lajm për arsye qe nuk janë në tagrin tim institucional t’i komentoj.
Ndjesë kujtdo që mund të jetë shqetësuar nga ky lajm, por kushdo të jetë i bindur se s’ka asnjë të vërtetë tjetër nga sa rendita më lart.