6 persona u arrestuan dhe 3 të tjerë u shpallën në kërkim pas hetimeve që u kryen nga SPAK për serat me kanabis që u zbuluan në Berat në vitin 2022.
Sipas SPAK, këta persona janë organizatorët e asaj veprimtarie kriminale, një pjesë e të cilëve janë nga Malësia e Madhe.
Në pranga ranë Sadetin Hasaj, Lulzim Bushataj, Mustaf Manej, Suad Smakaj, Arben Vrapi, Adiol Çifliku.
Por si u zbuluan 2 vite më vonë këta persona që ishin organizatorët?
Në dosjen e siguruar nga WebLajm, thuhet se u zbuluan komunikimet e tyre në aplikacionet WhatsApp dhe Signal.
Në këto biseda dokumentohet roli që ka patur gjithsecili.
Sadetin Hasaj dhe Blerim Xheka diskutojnë mbi mbarëvajtjen e punëve ne kultivimin e bimëve narkotike në sera. Sadetin Hasaj i lë dorë të lirë Blerim Xhekës në organizimin e punës për kujdesin ndaj bimëve, shpenzimet për mjete pune, ushqime, medikamente për bimët si dhe për pagesat e punëtoreve në sera.
Sadetin Hasaj informohet nga Blerim Xhekes për çdo gjë që ndodh në sera, si dhe i jep Blerim Xhekës këshilla, detyra dhe urdhra sipas rastit. Sadetin Hasaj siguron armë zjarri dhe udhëzon që Blerim Xheka dhe persona të tjerë që punojnë në sera, të mbajnë armët për sigurinë e serave dhe kanabisit.
Sipas SPAK, Sadetin Hasaj shfaqet në rolin e organizatorit e drejtuesit të aktivitetit të kultivimit, prodhimit e përpunimit të lëndës narkotike.
Në të njëjtin pozicion shfaqet dhe Sokol Demiraj. Ai ka njohje dhe bashkëveprim të ngushtë mes Sokol Demiraj e Sadetin Hasaj me personat nën hetim Blerim Xheka e Jurgen Ujkaj. Arben Vrapi ka vënë tokat e tij në dispozicion të kultivuesve e prodhuesve të lëndëve narkotike dhe është i përfshirë aktivisht në veprimtarine prodhuese të lëndës narkotike, në bashkëveprim të ngushtë me shtetasit Hamdi Dyli e Blerim Xheka dhe kryesisht në mirëfunksionimin e sistemit ujitës e vaditës.
Shtetasi Mustaf Manej është pjesë e grupimit bashkëveprues me Jurgen Ujkaj e Blerim Xheka në aktivitetin e kultivimit e prodhimit të narkotikëve dhe e lëvizjeve të grave që kanë punuar në sera për të pastruar bimët narkotike. Ai është aktiv në instalimin e pajisjeve në sera, si dhe në transportin e fuqisë punëtore.
Lulzim Bushataj shfaqet aktiv në transportimin e fuqisë punëtore nga qytete dhe rrethina në Drenovicë të Beratit.
Të njëjtat aktivitet kryejnë edhe Suad Smakaj e Lentin Lika, që janë në kontakte
të vazhdueshme me personat nën hetim Hamdi Dyli, Jurgen Ujkaj, Sokol Demiraj e Sadetin Hasaj, ndërsa Adiol Çifliku siguron mjetet dhe pajisjet e nevojshme.