Dy farmacistë që futën ilaçe kontrabandë, janë arrestuar nga Policia e Tiranës gjatë aksionit të koduar “Smuggling” pas hetimeve të kryera nga Sektori për Krimin Ekonomik dhe Financiar.
Në pranga ranë Qazim Haka 35 vjeç dhe Ermir Haxhiaj 46 vjeç.
Në depon farmaceutike të Qazim Hakës janë gjetur pajisje dentare të cilat dyshohen se hyjnë kontrabandë nga Turqia, ndërsa në farmacinë e Ermir Haxhiaj është gjendur një sasi e konsiderueshme barnash kontrabandë me vend origjine Europën dhe Turqinë.
Dy farmacistët u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Tregëtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”,”Ruajtja dhe depozitimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Kontrabandë me mallra të tjerë”.
Sipas policisë, ilaçet dhe pajisjet dentare u sekuestruan në të dyja rastet. Vlera e mallrave që kanë hyrë kontrabandë, sipas Agjencisë Kombëtare të Barnave, kap vlerën në total rreth 15 mijë Euro.
Materialet proçeduriale ju kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në ngarkim të shtetasve sipërpërmendur, për veprat penale të “Kontrabandë me mallra të tjerë” Tregëtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” , “Ruajtja dhe depozitimi i mallrave që janë kontrabandë”.