WebLajm zbardh dosjen e vrasjes së Amanda Pushanit nga motra e saj Marsela Pushani, ngjarje e ndodhur më 2 Shtator 2023 në Tiranë.
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar dosjen për gjykim ndaj të akuzuarës Marsela Pushani. Organi i akuzës ka ndryshuar edhe cilësimin e veprës penale ndaj Marsela Pushanit, e cila akuzohej për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, tashmë akuzohet për vrasje në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme.
Sipas mjekut-ligjor, shkaku i vdekjes së Amanda Pushanit është plaga e shkaktuar nga goditja me thikë në bark dhe hemorragjia e brendshme.
Prokuroria thotë se fillimisht e dyshuara Marsela Pushani ka mbajtur qëndrim mohues për krimin, por më pas në ambientet e policisë dhe në prani të avokatit, ka pranuar vrasjen duke treguar edhe dinamikën si ka ndodhur ngjarja.
Prej vitesh Amanda ka qenë konsumuese e rregullt e alkoolit dhe kjo ka bërë që të ishte e paqëndrueshme emocionalisht dhe herë pas here agresive.
“Dy ditët e fundit unë dhe nëna kemi zhvilluar një bisedë të gjatë me Amandën dhe ajo na tha se do të ndryshonte dhe nuk do të pinte më alklol. Sot ka qenë ditë pushimi dhe të treja ne kemi qenë në shtëpi. Amanda është ngritur herët dhe më ka kërkuar mua që të dilja dhe të blija pije alkoolike. Une i kam thënë që nuk dal pasi ne kemi folur diçka tjetër dje bashkë. Patëm një debat verbal dhe në nje moment Amanda ka goditur nenën me një jastëk dhe doli nga shtëpia e revoltuar, unë në atë moment kam qënë në tualet. Nese nuk gaboj Amana ka dalë nga shtëpia rreth orës 09:00”, ka treguar Marsela Pushani para grupit hetimor.
Pas kthimit në shtëpi të Amandës, ndodhi edhe sherri që përfundoi në vrasje, sipas dëshmisë së motrës.
“Ajo është kthyer sërish në shtëpi pas 15-20 minuta, i ra derës dhe unë e kam hapur. Amanda kishte në dorë dy shishe plastike me raki dhe dy ose tre birra. Mami u mundua që t’ia hiqte nga dora dhe qesja u gris, pijet ranë në tokë. Une i mora shishet që t’i hidhja dhe një shishe më ra në lavaman.
Në këtë kohë, Amanda filloi të bërtise me të madhe, pasi nuk donte që unë t’i derdhja. Në një moment të caktuar ajo më tërhoqi me forcë nga krahu dhe unë kam ndjerë dhimbje dhe kam parë që më ishte shkaktuar hematoma. Në konflikt e sipër jemi shtyrë me duar dhe
Amanda mori në dorë, në lavamanin e kuzhinës një thikë me dorezë të kuqe dhe të bardhë, që neve e përdorim si thikë buke. Instiktivisht unë jam mundur ta ndaloj duke e kapur nga duart, i shtrëngova thikën me të dyja duart dhe duke u shtyrë thika u ngul në trupin e Amandës, në bark. Kur e kuptova se çfarë kishte ndodhur unë e tërhoqa thikën mbrapsht dhe e vendosa atë në lavaman, ndërkohë që Amanda u shtri në krevat. Gjatë konfrontimit fizik që unë pata me Amanden, nëna ndodhej në dhomën tjetër që shërben si sallon ndenjie. Pas këtij momenti unë i kam treguar nënës që në konfikt e sipër qëllova me thikë Amandën dhe ajo më tha shko shikoje si është.
U futa në dhomën e Amandës dhe e pashë që ajo nuk reagonte por ishte komplet e zbehtë në fytyrë. Më pas unë i thashë nënës time që Amanda nuk duket mirë dhe është zverdhur komplet dhe nuk reagon. Bashkë me nënën i kemi hapur gojën për të tërhequr gjuhën, i dhashë pak lëng për të pirë dhe i dezinfektova plagën me alkool në bark. Më pas nëna njoftoi ambulancën, e cila pas rreth gjysmë ore ka ardhur tek shtëpia. Mjekët e urgjencës i bënë elektroshok dhe na thanë që ka ndërruar jetë. Pak më vonë tek shtëpia kanë ardhur shërbimet policore, por unë nuk kujtoj se kush i ka njoftuar, ne apo persona të tjerë”, thuhet në dëshminë e Marsela Pushanit.