Prokuroria e Posacme ka goditur 7 grupe kriminale që veprojnë në qytetet Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Lezhë, Rrëshen, Kurbin, Fushë-Krujë dhe Krujë.
50 urdhër-arreste u lëshuan nga SPAK, prej të cilave janë arrestuar 20 persona. Nga këta janë kapur 14 në Shqipëri dhe 6 të tjerë në Itali, Gjermani, Spanjë dhe Belgjikë. 30 persona të tjerë vijojnë të jenë në kërkim.
Gjatë aksionit të zhvilluar të premten dhe të shtunën u sekuestruan pasuri me vlerë mbi 4.5 milionë Euro.
Nga këto, rreth 3 milionë Euro ishin para cash, bizhuteri dhe flori, ora të shtrenjta me vlerë 500 mijë Euro, armë, makina luksoze nga të cilat 5 të blinduara me vlerë 500 mijë Euro etj.
NGJARJET KRIMINALE QË KA ZBARDHUR SPAK:
- Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen me paramendim të shtetasit SH.K., ngjarje e ndodhur më datë 01.02.2021 në qytetin e Fierit;
- Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen për gjakmarrje, të mbetur në tentativë, të shtetasit P.GJ. dhe të shkatërrimit të pronës me eksploziv, e ndodhur më datë 15.09.2020, në qytetin e Tiranës;
- Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen me paramendim, të mbetur në tentativë, të shtetasit D.B., e ndodhur më datë 04.11.2020, në zonën e Krujës;
- Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen me dashje, të mbetur në tentativë, të shtetasit E.M., e ndodhur më datë 04.07.2020, në qytetin e Burrelit;
- Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen me dashje, të mbetur në tentativë, të shtetasit H.T. dhe shkatërrimit të pronës, e ndodhur më datë 18.05.2020, në fshatin Zenisht të Matit.
- Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasit D.B, gjatë vitit 2020;
- Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasit P.GJ., gjatë vitit 2020;
- Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasve E.G, L.D dhe A.G, gjatë vitit 2020;
- Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasve F.H. dhe A.H., gjatë vitit 2020;
- Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasit E.M, gjatë vitit 2020;
- Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasit A.N., gjatë vitit 2021;
- Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasve E.M. dhe T.XH., gjatë vitit 2021;
- Identifikimi i autorëve të dyshuar për një rast shitje bimësh narkotike canabis sativa, dhe trafikimi të lëndëve narkotike, në një vend kufitar me Republikën e Shqipërisë gjatë vitit 2020;
- Identifikimi i autorëve të dyshuar për një rast dhënie ndihmë për kalim të pa ligjshëm të kufijve, në vitin 2020;
- Identifikimi i autorëve të dyshuar për pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, në Republikën e Shqipërisë;
- Identifikimi i autorëve të disa rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, gjatë viteve 2019-2020;
- Identifikimi i autorëve të mbajtjes pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve, për disa raste kriminale, gjatë vitit 2020;
- Identifikimi i autorëve të një rasti të organizimit ose ushtrimit të veprimtarive të lojërave të fatit, në kundërshtim me ligjin, gjatë vitit 2020;
- Identifikimi i autorit të një rasti të korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike;
- Identifikimi i autorit të një rasti të shpërdorimit të detyrës, nga persona që ushtrojnë funksione publike;
- Identifikimi i autorëve të një rasti të goditjes ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore;
- Gjithashtu janë dokumentuar pasuri, të cilat janë produkt i kësaj veprimtarie kriminale.
Cilësojmë se, këto grupe kriminale dyshohet se kanë kryer veprat penale me pasoja të rënda të jetës dhe shëndetit, si edhe në drejtim të pasurisë. Disa nga veprat penale më serioze për të cilat këto grupe po hetohen janë: “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë e kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit atë të “Sigurimit të kushteve dhe të mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kultivimi i bimëve narkotikeve”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, , “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”, “Sigurim i kushteve për kryerjen e vrasjes”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”etj.
Ajo që është karakteristikë për këta grupe kriminale është dhuna e egër e treguar në kryerjen e krimeve, si dhe pasojat shumë të rënda të ardhura nga këta veprime kriminale. Pjesëtarë të një grupi kriminal në raste të ndryshme bashkëpunojnë me grupe të cilët janë kundërshtarë të njëri – tjetrit.
Në qendër të këtyre grupeve kriminale është grupi kriminal i krijuar dhe drejtuar nga shtetasi E.M., i cili është në aleancë me grupin kriminal që vepronte në qytetin e Lezhës të drejtuar nga shtetasi A. N. Këta dy grupe kriminale, për arritjen e qëllimit kriminal kanë kontaktuar anëtarë të një grupi tjetër kriminal i cili vepronte në qytetin e Durrësit. Gjithashtu, të dy këto grupe kriminale kanë rekrutuar vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë – Krujës dhe në zonën e Burrelit. Po kështu për të realizuar qëllimet kriminale E.M., kontakton shtetasin V.I., i cili sapo kishte përfunduar vuajtjen e dënimit me burgim i kërkon vrasjen e shtetasit F.H. Në ndihmë të grupeve kriminale të drejtuara E.M. dhe A.N., vijnë edhe shtetasit E.Sh. dhe A.A., të cilët edhe pse në kushtet e paraburgimit ndihmojnë E.M. dhe A.N., në realizimin e qëllimit kriminal që është vrasja e D.B. etj.
E.SH. kontakton me të hetuarin T. B., të cilit i kërkon vrasjen e D.B. Po kështu E.SH., siguron informacione për lëvizjet e D. B. Dhe këto informacione i’a vë në dispozicion shtetasit A.N.
Nga ana tjetër në zonën e Fushë Krujës spikat grupi kriminal i drejtuar nga shtetasi D. B., i cili shfaqet në konflikt të hapur me grupet kriminale të drejtuara nga shtetasit E.M. dhe A.N. Grupi kriminal i drejtuar nga D.B., bën aleancë me një grup kundërshtar të shtetasit E.M., dhe që drejtohet nga shtetasit L.D. dhe F.H., persona me precedentë të theksuar kriminal me qëllim vrasjen e E.M. dhe A.N. dhe anëtarëve të tjerë të këtyre grupeve kriminale.
Hetimet kanë evidentuar ekzistencën edhe të një grupi tjetër kriminal të drejtuar nga shtetasi E.R. Ky shtetas me qëllim hakmarrje ka organizuar vrasjen e shtetasit P.Gj., ku në datën 15.09.2020, ky i fundit ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e shpërthimit me eksploziv të automjetit me të cilin udhëtonte. E.R., ka rekrutuar si pjesë të grupit shtetasit E.D., B.Xh. etj., të cilëve ju kishte premtuar një shumë të konsiderueshme parash me qëllim vrasjen e shtetasit P.Gj.
Shtetasi K.Sh., me detyrë me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë, Lezhë, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal ndihmonte shtetasin E.R., duke i dhënë informacion në lidhje me automjetet dhe hyrje-daljet e shtetasit P.Gj.
Hetimi ka nxjerrë në pah se, këto grupe kriminale ishin në gjendje të paguanin shuma të mëdha parash me qëllim realizimin e vrasjes të kundërshtarëve të tyre. Mënyra e kryerjes së veprave penale tregon gjithashtu një shkallë shumë të lartë organizimi dhe rrezikshmërie shoqërore.
Nga hetimi është evidentuar gjithashtu edhe përfshirja e një ish Deputeti, katër punonjës policie, dy prej tyre në role drejtuese, gjatë vitit 2020, përkatësisht:
– Ish Deputeti me iniciale A.N.;
– Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, me iniciale H.M.;
– Shefi i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në po këtë drejtori, me iniciale K.SH.;
– 2 efektivë të Repartit Special RENEA, me iniciale A.M. dhe A.P.
Kështu është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi H.M., me detyrë drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shtetasin K.Sh. dhe persona të tjerë, drejtonin aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve, në qarkun e Lezhës.
Po ashtu i hetuari H.M., në bashkëpunim me shtetasin P.Gj., aktualisht i arrestuar për një procedim tjetër penal, organizonin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Lezhës.
Në dinamikën e hetimit të këtij procedimi penal, janë grumbulluar prova që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasi D.B., në bashkëpunim me shtetasin A.M. (me detyrë efektiv i forcave “Renea” në kohën e kryerjes së krimit) kanë organizuar kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Niklës dhe Tapizës.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, falenderon në mënyrë të veçantë Policinë e Shtetit dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, për profesionalizimin e treguar dhe bashkëpunimin e ngushtë, gjatë fazës së ekzekutimit të vendimeve të gjykatës.
Një falenderim i veçantë i drejtohet Eurojust, Europol, dhe agjencive ligjzbatuese holandeze, belge, franceze, gjermane, italiane, spanjolle dhe greke, të cilët kanë mbështetur dhe ndihmuar SPAK.