WebLajm zbardh ekskluzivisht dosjen e vjedhjes së orës Rolex në dhomën e bagazheve në avionin “WizzAir” me destinacion Tiranë-Athinë.
Në lidhje me ngjarjen është pyetur shtetasi Klajdi Qerimi, -. cili ka shpejguar se është ai autori i vjedhjes se orës duke shpjeguar në mënyrë të detajuar rrethanat e kryerjes së veprës penale:
Kam qenë i planifikuar në ngarkimin e avionit të kompanisë “Wizz Air”, me itinerar Rinas-Athinë në datë 21.05.2024, ora 10:30-18:30.
“Isha lart në barkun e avionit sëbashku me Sulejmanin dhe Danjeli ka qenë poshtë në tokë, i cili na jepte bagazhet dhe i stivonin në barkun e avionit. Duke stivosur bagazhet në barkun e avionit, nga njëra prej valixheve, ka rënë një orë “Rolex”, e futur në një çantë të zezë ku ishte e mbështjellë. Orën e mora dhe nuk i kam thënë asnjërit prej punëtoreve të tjerë. E fsheha nē trup, deri sa e vendosa në një vend afër dhomës ku qëndrojmë dhe kur dola jashtë e mora duke e fshehur sërish në trup pasi mbarova turnin”.
Ndaj 24 vjeçarit është caktuar masa e arrestit në shtëpi, ndërsa ka kthyer orën në policin e rinasit.
Ora rezulton se i përkiste shtetasit K.Z i cili sapo ka mbërritur në Athinë ka konstatuar vjedhjen dhe nëpërmjet të afërmit të tij ka bërë denoncimin në policinë e rinasit.
Rinas
Vodhi një orë të shtrenjtë, në një prej bagazheve të udhëtarëve, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 24-vjeçari, punonjës për ngarkim-shkarkimin e bagazheve, në vendqëndrimin e avionëve në Rinas.
Sekuestrohet ora me vlerë rreth 20 000 euro.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Rinas, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, pas kallëzimit të depozituar nga një 30-vjeçar, se kushëririt të tij, i cili kishte udhëtuar nga Rinasi drejt Athinës, i kishin vjedhur një orë të kushtueshme të cilën e mbante në bagazhet e tij dhe vjedhjen e së cilës ai e kishte konstatuar në momentin kur kishte arritur në Athinë, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorit të dyshuar.
Si rezultat i veprimeve operative dhe procedurale të kryera nga Seksioni për Hetimin e Krimeve, u arrit të identifikohet si autor i kësaj vjedhjeje, shtetasi K. Q., me detyrë punonjës i sektorit të ngarkim-shkarkimit të bagazheve, në vendqëndrimin e avionëve.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit K. Q., 24 vjeç, banues në Krujë, me detyrë punonjës për ngarkimin dhe shkarkimin e bagazheve, në aeroportin e Rinasit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua ora e dyshuar e vjedhur, me vlerë rreth 20 000 euro.
Materialet i kaluan Prokurorisë.