Dhunuesit e profes, Sokol Mëngjezi këtë të mërkurë, u përpoqën të tregojnë forcë dhe pushtet. Atyre nuk ua ndjeu të godisnin në mes të ditës, në mes të Tiranës, në mes të dhjetra njerëzve me shumicë edhe fëmijë që si kanë mbushur 6 vjeç që hynin në kopsht, në mes të kamerave me kapele në kokë e hekura në duar.
“Dukeshin çuna të kamur, me muskuj, mbase tatuazhe e shtatlartë, të veshur mirë”, më tha një dëshmitare.
Këta çuna, e si këta çuna Shqipëria po rrit plot. Zelli i tyre kundër jetës e rendit, kundër dhembshurisë e kujdesit për brezat, sa vjen e rritet, frymëzuar nga pandëshkueshmëria e elitave që vjedhin, vrasin, sundojnë me forcën e pushtetit që i mbron, e me të rënën e lapsit që i fal, amniston, zgidh…
Sokol Mëngjezin, atë profen e buzëqeshur, komunikuesin e lartë e profesionistin e zot, kulturshfaqurin e përhershëm dhe argumentuesin bindës, shkruesin e punimeve shkencore, emri i të cilit ndodhet në libra nxëniesh, e kemi sot shembull të dëshmisë se “viktimave” të një anarshie që nuk kursen.
Sokol Mëngjezi është një nga njohësit më të mirë të të drejtës dhe ligjit, e në çdo rrethanë, kush do kishte diçka për ta sqaruar a kundërshtuar, mund të përballej me të përmes forcës së argumentit dhe faktit në dyert e drejtësisë.
Ja pse ata muskutjerët me mjekra e muskuj, rroba firmato e florinj në qafë, janë të tillë që trimërinë e tregojnë përmes trokut të forcës fizike, trok në ardhje e trok në ikje, me ndërgjegjen e papasme e të pavrame, në kërkim të kockës së hedhur për t’iu shtuar listës së mbretërve të anarshisë, ku një fije sado e vogël shprese e tyre për të parë dritë dielli, nuk do kenë shansin ta varin tek një anarshist tjetër, drejtësi të njësyverbër apo tek mbretërit e aplikacioneve të koduara, por tek një avokat. Jo tek Sokoli natyrisht, por drita e shpresës së tyre do të shtrihet shigjetë mbi një avokat, që mbase do ketë fatin e keq…
Ps. Uroj që profja ta fitojë këtë “gjykim” të rëndë me shëndetin, përmes avokatëve më të mirë të kujdesit mjekësor, në Spitalin e Traumës.
Nga Fatjon Gjinaj
Fotot e autorëve