Llogaritë bankare të një kompanie italiane të quajtur “Netta shpk” janë sekuestruar nga Prokuroria e Tiranës në kuadër të hetimeve pas dyshimeve për pastrim parash.
Vendimi është marrë nga prokurori Ndini Tavani, i cili në vendimin e tij ka caktuar sekuestrimin e 1.5 milionë Lekëve të reja, 20 mijë Euro dhe rreth 480 mijë Dollarë, llogari që i përkasin kompanisë italiane në bankën Union.
Prokuroria ka vënë re transaksione të dyshimta bankare, si dhe ndryshime të vazhdueshme dhe brenda periudhave të shkurtra kohore të administratorëve të shoqërisë.
Sipas hetimeve, kompania “Netta” është krijuar në Shqipëri më 10 Janar 2022 nga italiani Bruno Rollo me administrator Endi Sinanin. Ky i fundit, këtë detyrë e mbajti vetëm 7 ditë, pra deri më datë 17 Janar 2022. Nga kjo periudhë, detyrën e administratorit e mori vetë themeluesi Bruno Rollo për rreth 3 javë deri më datë 4 Shkurt 2022. Më pas administrator u bë shtetasi tjetër italian Teodoro Grasso.
Kjo kompani ka për objekt të sajin “Ndërtim, prodhim, mirëmbajtje, riparim dhe mirëmbajtja në terren të avionëve (me ose pa ekuipazh, për transportin e mallrave ose udhëtarëve, për çdo qëllim). Anije kozmike, pajisje aero – nautike dhe pajisje të ngjashme, duke përfshirë pjesë të automjeteve, motorëve dhe aksesorëve etj”. Zyrat e shoqërisë janë në rrugën “Dëshmoret e 4 Shkurtit”, në Tiranë, e njëjta me selinë e disa shoqërive të tjera të themeluar nga disa shtetas ndër të cilet edhe kompania “In Italian Netëork” shpk e Roberto Lera.
Gjatë vitit 2022 ka patur transferta parash nga SHBA në llogaritë bankare të kësaj kompanie në Shqipëri si dhe anasjelltas në vlerat 136.240 Dollarë dhe 85 mijë Dollarë. Ndërsa një tjetër dërgesë në vlerën 990 mijë Dollarë është bërë nga Jordania nga shoqëria “National Defense Industries CompanYLtd” në adresë të kompanisë “Netta” në Shqipëri, me të cilën ka lidhur një marrëveshje për ndërtimin dhe zhvillimin e dronëve të llojit LM-500 Loiting Mini UAV kundrejt një çmimi total prej 10.5 milionë Dollarë.
Për shkak të këtyre shumave, më datë 20 Shtator 2022 i është kërkuar “In Italian Network”, zyrës që mbulon kontabilitetin e firmës “Netta”, një plan investimi i detajuar. Paradoksalisht, përfaqësuesi i zyrës kontabël ishte Endri Sinani, i cili mbajti për 7 ditë detyrën e administratorit të shoqërisë “Netta”.
Por kjo kërkesë nuk u realizua me argumentin se për shkak të natyrës së biznesit dhe teknologjisë që do të përdoret pasi bëhet fjalë për një dron që është ende në fazë testimi, Kësisoj, sipas kompanisë, pagesat aktuale që po kryhen per softëare-in e dronit dhe projektimin e tij dhe para fazës së krijimit, mund të shkojnë deri në 8 milionë Euro dhe nuk është e mundur përpilimi i një plani investimi ose biznesi.
Më datë 13.07.2022, janë transferuar 182 000 USD për subjektin “MOST Mobile Satellite Ltd.” Në Izrael, si likuidim fature për shërbim konsulence profesionale, më datë 26.09.2022 janë transferuar si likuidim fature (parapagese) 300’000 USD për kompaninë malteze “J&T Aero Limited” në një llogari të saj në Mbretërinë e Bashkuar, me të cilën në datë 12.09.2022 “NETTA” shpk ka lidhur marrëveshjen për krijimin e një prototipi të një sistemi autopilot kundrejt shumës totale prej 600 000 USD nga shoqëria malteze e angazhuar në zhvillimin e softëare-ve për aplikacione anonime fluturimi.
Gjendja e llogarisë të subjektit “NETA” shpk, në datë 10.11.2023, është kreditore 499 858 USD dhe 1. 542 640 Lekë. Në llogari personale të shtetasit Teodoro Grasso rezulton se në datë 30.03.2021 dhe 01.06.2022 kanë mbërritur dy transferta 79.947 Euro dhe 36.958 Euro nga llogaria e tij në SHBA, me bankë derguese “National Bank Trust Co – Atchison, KS (US)”, prej të cilave gjatë kësaj periudhe ai i ka tërhequr cash rreth 110mijë Euro. Nga këto, 27 mijë Euro ka deklaruar se do t’i përdorte për blerjen e një varke në Itali. Llogaria ka status te mbyllur.
Më 9 Tetor 2023, Roberto Laera i shet kuotat e plota të shoqërisë “In Italian Netëork” shpk, Endi Sinanit, kundrejt çmimit prej 10 000 Lekë.
Më datë 05 Maj 2022, shtetasi italian Teodoro Grasso së bashku me shtetasen Joan Alice Lundgren kanë regjistruar shoqërine “AERO JET” shpk me aktivitet të njëjtë me atë të shoqërisë “NETTA” shpk dhe me adresë qëndrore në Vlore, Lagjia Uji i Ftohte, Rr. “Avdul Sharra. “AERO JET” shpk nuk rezulton të ketë kryer aktivitet tregtar dhe prej 15 Qershorit 2022 e ka pezulluar aktivitetin.
Nga hetimet e prokurorisë rezulton se Teodoro Grasso, Joan Alice Lundgren dhe Bruno Rollo janë dënuar në vitin 2016 nga Gjykata e Shkallës së Parë në Itali për mashtrim në përfitimin e fondeve publike dhe se zotërojnë dhe drejtojnë disa biznese atje në fushën e aeronautikës.
Ky hetim u ndoq nga Prokurori Ndini Tavani, i zgjedhur pak kohë më parë nga KLP si Prokuror i SPAK