Prokuroria e Tiranës kërkoi sekuestrimin e llogarive bankare të shtetasit D.Ll. për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.
Nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare, në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, është marrë informacioni se shtetasi D.Ll, përgjatë periudhës Janar 2021-Prill 2024, rezulton të ketë përfituar 17 transferta, në vlerën totale 159,983 Paund ose 200 mijë Euro nga persona të ndryshëm.
Një ndër personat që kanë kryer transferta bankare janë kryer nga një shtetas i huaj, i cili deklarohet si shok i djalit të shtetasit D.Ll., i cili dyshohet se në vitin 2022 është hetuar në Angli për përdorimin e personave të tretë përmes kërcënimit me dyshimet për pastrim parash.
Bazuar në informacionet e mësipërme Prokuroria pranë Gjykatës të Shkallës të Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr.3308 për veprën penale të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal dhe ndodhur përpara rastit të ngutshëm, pasi ekziston rreziku që kjo shumë monetare, e cila dyshohet si produkt i veprimtarisë kriminale, të transferohet apo të fshihet, është e nevojshme kryerja e sekuestrimit të llogarive bankare.