Zbardhen detaje nga ngjarja e shënuar 4 ditë më parë në Vorë, ku tre persona u konfliktuan fizikisht me tre të tjerë.
Më datë 14 Qershor, shtetasit Olsen Hoxha, Avdyl Bodlli dhe një person i paidentifikuar ende nga policia, kërcënuan Sali Aruçin, rojen e një objekti, në pronësi të Flordjan Elezit.
Pasi e kërcënuan, të njëjtët persona u konfliktuan me pronarin e firmës Flordjan Elezin si dhe Petrit e Eskobar Elezin.
Referuar hetimit të kryer nga prokurori Arjan Muça, ngjarja u shënua në orën 23:15, ku këta tre të fundit përdorën një armë gjahu, me të cilën dëmtuan automjetet e personave me të cilët u konfliktuan.
Lidhur me këtë çështje, 7 persona janë marrë në pyetje, është kryer një ekspertim mjeko ligjor, daktiloskopik, balistik dhe ADN-je. Po ashtu është kqyrur vendi i ngjarjes, ku janë sekuestruar materiale të shumta, në mesin e të cilave edhe kamerat e sigurisë si dhe një armë zjarri pistoletë me mbishkrimin “Stoeger Cougar 8000 Fl” , me dy krëhra pa fishekë.
Dy armë gjahu, njëra Shotgun dhe tjetra me mbishkrimin “ Pietro Berrehta” , në pronësi të Flordjan dhe Petrit Elezit, të cilat rezultojnë armë me leje nga organet përkatese.
Përvec tyre u bë e mundur sekuestrimi i 3 gëzhojave që u gjetën në vendin e ngjarjes, dy automjete tip BMW X5 si dhe 28 000 lekë të reja.
Në kuadër të hetimeve të nisura nga prokuroria, u ushtrua kontroll në banesat e Flordjan Elezit si dhe të katër shtetasve të tjerë, ku nuk u gjenden sende të kundërligjshme.
Prokurori i çështjes, e vlerëson të ligjshëm arrestimin e Flordjan Elezit dhe të Sali Aruçit dhe kërkon nga gjykata e Tiranës caktimin e masës “arrest në shtëpi” ndaj tyre.
Këta dy persona pritet të dalin përpara togave të zeza. Ndaj Elezit janë ngritur 4 akuza, “Kanosja”, “Shkatërrimi i pronës”, “Veprime që penojnë zbardhjen e së vërtetës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Ndërsa ndaj Aruçit, organi i akuzës ka ngritur akuzën “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që penojnë zbardhjen e së vërtetës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.