Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar tatimin 15% për profesionet e lira. Në vendimin e ditës së sotme, Kushtetuesja vlerësoi se neni 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë dhe e tretë e ligjit nr. 29/2023 dhe neni 4 i VKM-së nr. 753/2023, cënojnë lirinë e veprimtarisë ekonomike për shkak të mosrespektimit të parimit të sigurisë juridike (në kuptim të pritshmërive të ligjshme dhe qartësisë së normës) dhe parimit të proporcionalitetit.
Gjykata arriti në këtë përfundim duke mbajtur në konsiderate skemën tatimore dhe në veçanti faktin se detyrimi tatimor prej 15% ndaj kësaj kategorie tatimpaguesish filloi të zbatohej menjëherë pa u lënë kohë të mjaftueshme atyre të përshtateshin me skemën e re tatimore.
Sa më sipër, Gjykata mbajti në vëmendje se ndonëse ligji ka hyrë në datën 18 Maj 2023 dhe i shtrinte efektet e tij nga data 1 Janar 2024, lista analitike e shërbimeve hyri në fuqi në datën 23 Dhjetor 2023 sipas nenit 4 të VKM-së nr. 753/2023 pra vetëm disa ditë para fillimit të efekteve të ligjit.
Gjithashtu, Gjykata vlerësoi se norma e tatimit prej 15 % e parë së bashku me kohën e zbatimit të saj nuk e kalon testin e proporcionalitetit, pasi nuk rezulton të jetë masa më e përshtatshme, në kushtet kur ka masa të tjera alternative, të cilat vetë ligjvënësi i ka evidentuar të zbatohen për kategoritë e tjera të tatimpaguesve mbi të ardhurat.
Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi me shumicë votash:
Pranimin e pjesshëm të kërkesës dhe shfuqizimin e nenit 69, pika, shkronja “dh”, fjalia e dytë dhe e tretë e ligjit nr. 29/2023 dhe të nenit 4 të VKM-së nr. 753/2023.
Rrëzimin e kërkimeve për shfuqizimin e dispozitave të tjera të ligjit.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.