Astrit Avdyli, një nga 50 personat e shpallur në kërkim nga SPAK pas operacionit “Revanshi” për goditjen e grupeve kriminale, është arrestuar sot gjatë një aksioni policor në masa të larta sigurie.
Pasi kishin marrë informacion në rrugë operative se fshihej në Shijak, policia organizoi aksionin.
Operacioni u krye nga RENEA, Forca e Posaçme Operacionale dhe Policia e Durrësit.
Në momentin e arrestimit, Astrit Avdylit iu gjet edhe një pistoletë me municion luftarak.
Në vijim të veprimeve, Specialistët e Sektorit për Hetimin e Grupeve Kriminale në Departamentin e Policisë Krimianale, bënë të mundur ekzekutimin e vendimit të Gjykatës, e cila ka caktuar ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Operacionin e përshëndeti edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla.
“Arratia nga përballja me drejtësinë po merr përgjigjen e duhur çdo ditë. Përgëzime Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Forcës së Posaçme Operacionale dhe RENEA për gjetjen dhe ndalimin e një shtetasi të kërkuar nga drejtësia në Shijak. Mbështetja për Policinë e Shtetit dhe rritja e bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit po konsolidon revanshin e sundimit të ligjit kundër krimit të organizuar”, ka shkruar ministri Balla në rrjetet sociale.