SPAK-u i një shprese për drejtësi shekullore e kombit tonë “sakat” në aftësinë e shtet-ndërtimit, është kthyer në një drejtësi fatkeqe që përdoret nga i marri e i bëmi njëherësh e për qëllime të ndryshme, që s’çon ujë në mullirin e bujkut, që s’çon rrugë në stanin e blegtorit, që s’çon udhëtarë në hanin e pushimit, së s’çon peshq në vaskën e qelbëzuar nga myku e myshku. SPAK-u hera-herës ia ka hyrë edhe vetë valles së audiencës së lartë, që kërkon prej saj, duke i hedhur thërrime që vetëm sa e çorodisin masën, shtojnë dozën e lajthitjes së elitës, e çuditërisht, nuk bie por përkundrazi, sheh rritje niveli i babëzisë, në petat e lakrorit që hapen, duke na e përplasur me forcë në fytyrë e ndërgjegje, se sa i thellë është llumi e urrejtja, ku janë futur duart e kujtdo që e ka pasur qëllim pasurimin e dominimin, në gjak i është dashur të derdhte apo të derdh, jetë të jepte apo të merrte, kafshatën e fundit t’ia vidhnin ose ta vidhte.
Kapaku i pusetës ku nuk ka më moral por djallëzi është hapur, sa s’është çudi më spekulimi, nuk është më e turpshme të gënjesh e pas dy ditësh të thyesh çdo limit audience me të vërteta të bujshme, nuk është turp të tradhëtosh, përkundrazi, është aftësi e modë nëse e bën e nuk zbulohet, dhe ata, gjithnjë ata në majë, vetë e shkruajnë tragjikomedinë, vetë i luajnë rolet, vetë e krijojnë audiencën, vetë ia fusin vetes kur nuk ia fusin dot njëri-tjetrit, vetë bëjnë burgun e pastaj krijojnë frymën se politika e tillë është.
Për herë të fundit që kam dëgjuar për programe që mbështesin shtresat në nevojë, ka qenë para se të flitej për dekriminalizim dhe drejtësi të re. Aty ishte edhe fillimi i fundit, ku shpresat sikur ranë pingul mbi disa prokuror e gjykatës, për të cilët harruam se janë të dalë prej nesh, ndërsa bota shqiptare do të ndahej në katërqind copash, se kush janë proamerikanët, cilët janë amerikanët vetë, dhe kush janë kundëramerikanët, ndërsa ai, gjithnjë i vuajturi, që pret e s’gjen apo gjen ç’ka s’pret, bëhet spektator i djallëzisë skllavëruese, sa i shkreti me tërë mend-mendon se SPAK-u është shpëtimi në një pjesë, e gjysma tjetër sikur fundi është SPAK-u.
Kur për drejtësinë flitet pa fund, dijeni se në atë vend, ose mungon drejtësia, ose drejtësia është nevojë emergjente, ose drejtësia s’është e drejtë. Në asnjë rast ku ekziston drejtësia dhe sidomos ku funksionon ajo, njerëzit nuk do merreshin aspak me të, por me kauzat e tyre, me eksperimente e investime, me projekte e inovacion.
Por ç’ndodh këtu mes nesh e ndër ne?
Drejtësia është kthyer në një skenë teatri, kur perdet hapen të gjitha herët nga të njëjtët aktorë, jo njëherësh por secili hap të tijën. Sot perden e hapi Altin Dumani, e populli zgurdulloi sytë, pa, dëgjoi dhe tani në këtë orë të vonë kur ka rënë shumica të flejë, në botë se ka idenë se ç’dreqin po ndodh, por një i moçëm andej nga viset e epërme të Shqypnisë, qesh me veten mbi nënkresë, me dramën e ditës së tij, me dramën e jetës së tij, teksa nipi ma rrëfeu këtë mbrëmje përmes një telefonate piskamën e plakut. “Po kush je ti o Duman, që kaq të madhe e paske famën? A thu është ringjallë ai Enver Hoxha n’ty he burrë i dheut ti bësh ene njiherë zap k’ta lakej”?