Presidenti amerikan Joe Biden u diagnostikua me COVID-19 ndërsa ndodhej në një udhëtim në Las Vegas për të bërë fushatë të mërkurën dhe po përjeton simptoma të lehta, tha Shtëpia e Bardhë.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre njoftoi diagnozën demokratit 81-vjeçar pasi presidenti i “UnidosUS”, një organizatë latine për të drejtat civile, tha se zoti Biden nuk do të ishte në gjendje të fliste në një ngjarje të planifikuar për shkak të infektimit me Covid-19. Në vend të fjalimit para votuesve hispanikë, Presidenti Biden shkoi në Delauer, kur kishte planifikuar të kalonte fundjavën.
“Ai është i vaksinuar dhe po përjeton simptoma të buta”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre.
Diagnoza e Presidentit Biden përkon me Kuvendin Kombëtar të Partisë Republikane dhe thirrjet e demokratëve për largimin e tij nga gara për president.
Thirrjeve të 19 ligjvënësve demokratë për tërheqje të zotit Biden nga gara për presidenti iu shtua sot edhe ligjvënësi nga Kalifornia, Adam Shiff, i cili po kandidon për Senatin amerikan.
Shqetësimet e demokratëve mbi aftësitë e presidentit aktual 81 vjeçar për ta mposhtur rivalin republikan, apo nëse është në gjendje që të udhëheqë vendin për një mandat të dytë, u shtuan pas paraqitjes së dobët të zotit Biden në debatin e parë presidencial, të 27 qershorit.
Ish-presidenti Trump ndodhet aktualisht në Miluoki, ku po mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Republikane, disa ditë pasi ai i shpëtoi një atentati me armë, gjatë një tubimi elektoral në Pensilvani./VOA