Pak ditë pas Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion mori në dorëzim dosjen e “Onkologjikut”, prokurori Elvin Gokaj i ka dërguar GJKKO kërkesën për të verifikuar kushtet për masat e sigurisë.
Gjykata e Posaçme ka në dispozicion 10 ditë kohë që të caktojë seancën për personat të cilët po hetohet për skandalin në spitalin e Onkologjikut.
Prokuroria e Tiranës pak ditë më parë shpalli moskompetencë dhe ia referoi SPAK-ut dosjen e Onkologjikut, për veprat penale “Korrupsion” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
SPAK ka regjistruar procedim penal për “Kontrabandë ilaçesh”, “Shpërdorim detyre “ dhe “Korrupsion”.
Më 26 Qershor, Prokuroria e Tiranës zbuloi skemën e mashtrimit dhe zhvatjes së pacientëve të sëmurë me tumor në spitalin e Onkologjikut. Mjeku Edmond Gashi dyshohet se në bashkëpunim me kolegët e tij orientonin pacientët e diagnostikuar me kancer në një klinikë private, e cila rezulton në emër të babait të tij. Për çdo pacient që orientohej për trajtim tek spitali privat, mjekët e Onkologjikut përfitonin shuma të konsiderueshme parash.
Përveç Edmond Gashit, Emiljano Leka, koordinator pranë Spitalit Onkologjik ne QSUNT, Alketa Ymeri(Pere), mjeke, Brikena Qirjazi, Zv/Drejtoreshë në QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik, Halil Gashi, Florian Marku, administrator i Flori Farma dhe Drilona Kishta janë personat e vënë nën hetim, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin bënin “pazar” me jetën e pacientëve.
Nga hetimet u zbulua se u instalua një aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës. Që të përdoret Cobalt Therapy duhet të krijohet një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vienës.
Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua, por aparatura u vendos jashtë kushteve teknike. Edhe KLSH ka bërë një kallëzim për rastin, në SPAK. “Jemi të detyruar që konkluzionet tona për Onokologjikun, ti drejtojmë në institucionin që është institucioni kompetent për të ndjekur në mënyrën më të plotë të mundshme të gjithë tablo të skeletit të ligjit penal, pra Prokuroria Speciale”, është shprehur më parë kreu i KLSH.