Pas rreth 1 viti nga atentati i planifikuar ndaj Inez Hajrullës në gusht 2023, porositësi dhe organizatori Leonard Veziri është arrestuar nga forcat e policisë teksa ndodhej në Spanjë.
GJKKO ka caktuar ndaj tij masën “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.
Në datën 08.08.2023 ai kishte organizuar vrasjen e shtetasve Ervis Matodashajt dhe Inez Hajrullës, por ky krim u parandalua pasi policia asokohe arrestoi Amarildo Nikollin me pistoletë gati për qitje.
6 muaj pas arrestimit të Nikollit, u zbardh që objektiv i atentatit të këtij grupi kriminal kishte qenë Inez Hajrulla.
Për atentatin ndaj Hajrullës, më herët ka rënë në pranga Muharem Koroveshi, Amarildo Nikolli dhe Leonard Veizi që u kap sot. Në kërkim rezulton ende Erio Zejno. Veizi kishte planifikuar atentatin për hakmarrje për vrasjen e kushëririt të tij, Erigert Ferik (Zejno) në 2013. Një nga personat e dyshuar ai autor ka qenë edhe Ervis Matodashaj, mirëpo një vit më vonë gjykata vendosi pushimin e hetimeve për mungesë të provave ndaj tij.
Njoftimi i plotë i policisë:
Policia e Shtetit/Bashkëpunimi i ngushtë me homologët spanjollë, finalizon një tjetër operacion policor ndërkombëtar.
Si rezultat i operacionit të koduar “Rekrutuesi”, arrestohet në Spanjë, një 47-vjeçar që akuzohet nga GjKKO-ja se rreth 1 vit më parë, në Vlorë, kishte organizuar vrasjen e 2 shtetasve (krim i parandaluar si rezultat i ndërhyrjes së Policisë).
Në bazë të informacionit nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe shkëmbimit të menjëhershëm të tij, ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, në lidhje me vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht, për sigurim kushtesh/mjetesh për të kryer vrasje, u finalizua operacioni policor i koduar “Rekrutuesi”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në Spanjë, shtetasi L. L., 47 vjeç, i lindur në Vlorë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 05.02.2024, i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.
47-vjeçari akuzohet se më datë 08.08.2023, në bashkëpunim me të tjerë, kishte organizuar vrasjen e shtetasve E. M. dhe I. H.. Ky krim u parandalua nga Policia, pasi u arrestua shtetasi A. N., i cili dyshohet se i paguar prej shtetasit L. L., do të kryente vrasjet. Shtetasit A. N., në momentin e arrestimit, iu sekuestrua pistoleta me fishek në fole, e gatshme për qitje.
Vijon bashkëpunimi për të finalizuar ekstradimin e shtetasit L. L., në Shqipëri.