Ka nisur ceremonia e Lojërave Olimpike Paris 2024. Me festën e inaugurimit që për herë të parë në histori nuk do të zhvillohet në një stadium.
Organizatorët francezë kanë zgjedhur një mënyrë ndryshe, me 10500 sportistët që kanë nisur të parakalojnë me rreth 850 varka në lumin Sena.
Ndër delegacionet e para që parakaluan ishte edhe ai i Shqipërisë, që do të përfaqësohet me 8 sportistë.
Përkatësisht me Luiza Gegën dhe Franko Burrajn në Atletikë, Zelmikhan Abakarov, Islam Dudaev dhe Chermen Valiev në Mundje, Manjola Koninin në Qitje si dhe Grisi Koxhakun e Kaltra Meçën në Not.
Nga kuqezinjtë e para që do të garojë është Manjola Konini, që nis Lojërat Olimpike në datën 27 korrik.
Një ditë më vonë është radha e notares Kaltra Meça, teksa në datën 30 korrik garon edhe Grisi Koxhaku në të njëjtën disiplinë.
Më pas radha e Atletikës. Franko Burraj zbret në pistë në datën 3 gusht. Një ditë më vonë sytë mbi Luiza Gegën.
Në fund ekipi i Mundjes. Abakarov e fillon në datën 8 gusht. Një ditë më vonë radha e Valiev, për ta mbyllur me Dudaev në datën 10 gusht./ SuperSport