Kandidati i Partisë Socialiste Vangjel Tavo është shpallur fitues i zgjedhjeve të pjesshme të 4 gushtit 2024 duke fituar me një diferencë me 1477 votash kundrejt kandidatit rival të koalicionit “Bashkë Fitojmë’ në opozitë, Petro Gjikuria.
Tavo ka marrë 5022 vota, pra 58.62% ndërkohë Petro Gjikuria ka marrë 3545 vota, 41.38 % .
“Sot fitoi Himara, fituan himariotët. Na besuan vijimisinë e mandatit 2023. Që sot nisim punën për të gjithë atë që I kemi premtuar banorëve. Problemet nuk kanë ngjyrë e as Himara nuk ka ngjyrë. Fillojmë nga puna, të gjithë për Himarën e bashkuar pa probleme dhe të qetë. Festë nuk ka do vazhdojmë nga puna. Prioritet do të jetë turizmi, oferta ka qenë e sinqertë, Gjikuria i mirëpritur për nënkryetar. Të them të drejtën e prisja fitoren me 1200 – 1300 vota“- u shpreh Tavo.
Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve pjesëmarrja në zgjedhjet e djeshme në Himarë rezultoi 37.69 % ku nga 23.074 votues në listë morrën pjesë në votime 8678 persona. Një pjesëmarrje me gati 800 votues më shumë se në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 ku votuan 7655 zgjedhës.
Zgjedhjet për kryebashkiakë në Bashkinë e Himarës t’i japin fund sagës së një rrugëtimi 15 mujor të bashkisë pa kryetar legjitim në krye të saj. Saga nisi dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit 2023 me arrestimin e Belerit. Më pas dënimi i Fredi Belerit me dy vite burg për akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje, dhe arrestimin e kryetarit në detyrë Jorgo Goro nën dyshimet se përmes dokumentave të falsifikuar ka lejuar rregjistrimin e parregullt të dy pasurive të patundshme.
Zgjedhjet e pjeshme në Himarë u mbajtën dhe në një klimë të ftohtë mes Tiranës dhe Athinës zyrtare që buroi pas arrestimit dhe dënimit të ish kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.