Reperi i njohur shqiptar, Rigels Rajku i njohur me emrin e artit si Noizy, u arrestua para disa ditësh nga Policia e Shqipërisë në Shëngjin së bashku me DJ Crax (Bahtjar Bajraktari).
Ata po kërkoheshin nga Policia e Kosovës për shkak të një sherri në një diskotekë në Pejë, ku akuzohen se dhunuan brutalisht personazhin e njohur të TikTok, Medi Iseni.
WebLajm ka siguruar kërkesën për arrestimin e përkohshëm me qëllim të ekstradimit të Noizyt drejt Kosovës firmosur nga Ministria e Drejtësisë Albulena Haxhiu.
Në dokument shkruhet:
Kërkesë për arrestimin e përkohshëm me qëllim të ekstradimit të z.Rigels Rajku.
Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës shpreh komplimentet dhe konsideratën e saj me të lartë për Ministrinë e Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë, dhe ka nderin të paraqesë kërkesën për arrestimin e përkohshëm me qëllim të ekstradimit të z.Rigels Rajku, i njohur me emrin artistik “Noizy” lindur me 27.09.1986, në Sukth, Durrës, Shqipëri, shtetas i Republikës së Shqipërisë.
Z. Rajku është i kërkuar nga Prokuroria Themelore në Pejë për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale: “Lëndim i rëndë trupor” nga neni 186 paragrafi (3), nën paragrafi 3.1, lidhur me paragrafin (1), nën paragrafin 1.3 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prandaj, në pajtim me nenin 15 të Marrëveshjes Dypalëshe mbi Ekstradimin të lidhur ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shipërisë, Ministria e Drejtësise e Republikës së Kosovës parashtron këtë kërkesë pët arrestimin e përkohshëm të z. Rajku, me qëllim të ekstradimit.
Bashkëlidhur me këtë kërkesë për arrest të përkohshëm do të gjeni:
- Kërkesën pët Arrestim të Përkohshëm me qëllim të ekstradimit nga Prokuroria Themelore në Pejë, datë 06.08.2024;
- Autorizimi për Arrestim nga Prokuroria e Pejës; dhe
- Ekstraktet e Ligjit.
Ministria e Drejtësisë së Republikës së Kosovës dëshiron të sigurojë Ministrinë e Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë se do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë në lidhje me ndihmën juridike ndërkombëtare dhe përfiton nga rasti për t’i përsëritur Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë konsideratën e saj më të lartë.