Pasditen e 10 gushtit, një ngjarje makabër ndodhi në Pogradec, ku Egli Proga humbi jetën si pasojë e dhunës fizike dhe u la në mes të rrugës pa ndihmë, ndaj për këtë, e motra e tij denoncon policinë se ka vepruar me vonesë dhe ka fshehur ngjarjen.
Ngjarja në fillim u raportua si aksidentale por më pas policia arrestoi Denis Meçen si autor të dhunës dhe 3 persona të tjerë si persona që kanë penguar zbulimin e krimit.
E intervistuar nga mediat shqiptare, Jonida Proga shfaqet e tronditur për faktin se edhe pse ngjarja ka ndodhur në mes të ditës, askush nuk ka ndërhyrë për ta ndalur, madje sipas saj është bërë përpjekje për ta fshehur krimin.
“Më ka marrë djali tezes në telefon dhe më tha urgjent në spital. Vrapoj për atje, futem te urgjenca, shoh Eglin të shtrirë, të masakruar. Mjekët ishin duke i dhënë ndihmën e fundit. Ai ndoshta kishte mbaruar. Po i bënin elektroshok. Ne familjarët se pranonim dot që kishte ndodhur, derisa mjekët u dorëzuan e thanë nuk mund ta sjellin në jetë. E shokuar kam dalë jashtë, pyes policët çfarë ka ndodhur, më thonë është rrëzuar, jo të thonin po mbledhim prova, po shohim kamerat, dëgjojmë dëshmitarët.
Policia ka lëvizur shumë vonë. Do të thotë që kanë qenë në lëvizje nga të tjerët për tu sjellë kështu.
-Nuk ju thanë në asnjë moment që kishte pasur sherr, ishte dhunuar?
Akoma asnjë gjë. Dallohej qartazi që ishte dhunuar, por nuk thuhej nga askush që ishte i dhunuar. Dallohej nga mjekët që ishte i dhunuar, e nuk thuhej nga askush. Nuk thuhej nga askush që është bërë një vrasje. E kanë vrarë, e kanë masakruar në mes të rrugës, në tufë, e kanë braktisur, e kanë lënë. Ambulanca nuk vinte. Djali i tezes e ka gjetur të rrethuar me njerëz. Ka njoftuar ambulancën, por ajo u vonua gjysëm ore, që Pogradeci për 2 minuta arrin. Policia nuk pranonte të lëvizte trupin pa ardhur ambulanca, mund të ishte gjallë aty, mund ta shpëtonin.
E motra kërkon hetim të plotë, teksa shprehet:
“Të hetohet çdo gjë në detaje, çdo gjë që ka ndodhur, çdo gjë që është bërë në bashkëpunim, ccdo frymë që ka kaluar atje, çdokush që e ka parë, gjithë plehrat që janë fshehur, çdo kafshë që ka guxuar të jetë atje e ka frikë e fshihet. Si thonë që nuk kemi parë gjë kur shohin të masakrohet një njeri i pambrojtur? Kush është i forti këtu kur goditet i pambrojturi?
Egli ishte njeriu më i butë, djali më i dashur, e donin të gjithë, ishte familjar, ishte në punën e tij. Sa ka mbyllur punën, ishte në qejf, ka dalë nga lokali I tij nuk e di çka ndodhur. E kanë kthyer, e kanë provokuar, e kanë ngacmuar dhe më pas e kanë vrarë.
Është vrasje në bashkëpunim, s’është vetëm një njeri, këtu është në bashkëpunim dhe shteti që ka pritur, e ka fshehur ngjarjen. Nuk ka patur shirita, makinat kalonin aty. Njerëzit pinin kafe ndërsa një njeri ishte i shtrirë.
Kjo është vrasje nga të gjitha anët, ka shumë vrasës. Kjo gjë sapo ka filluar dhe mos guxojë askush të bëhet palë. Kushdo që ka guxuar mos ta gënjenjë mendja të bëhet palë, e pjesë e padrejtësisë”.
Për ngjarjen ka nisur një hetim edhe avokati i popullit.
Institucioni i Avokatit të Popullit shpreh shqetësimin e thellë lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Pogradec, ku një qytetar humbi jetën në rrethana të dyshimta. Në veçanti, Avokati i Popullit shpreh shqetësim për pretendimet e ngritura nga familjarët e viktimës dhe një pjesë e opinionit publik në Pogradec, lidhur me mundësinë e fshehjes apo manipulimit të ngjarjes nga strukturat e policisë lokale.Avokati i Popullit, si institucion i pavarur kushtetues, jo vetëm ka për detyrë të mbrojë të drejtat e njeriut por edhe të garantojë transparencë dhe drejtësi në çdo rast ku mund të jenë shkelur këto të drejta. Përsa më sipër Avokati i Popullit njofton se ka nisur një verifikim të plotë mbi veprimet dhe procedurat e ndjekura nga organet kompetente në këtë çështje.Ky verifikim do të synojë të hedhë dritë mbi të gjitha aspektet e ngjarjes, përfshirë edhe pretendimet për moszbardhjen e drejtë të situatës.
Comments 1