Një ngarkesë e nisur nga Porti i Durrësit ka alarmuar autoritetet në Tajlandë, pasi sipas organizatës “Basel Action Network” që gjurmon tregtinë e mbetjeve toksike, është e mbushur me pluhur të rrezikshëm që grumbullohet nga filtrat e furrave të çelikut. Bëhet fjalë për rreth 800 tonë mbetje të rrezikshme të cilat janë ngarkuar në 100 kontejnerë me dy anije.
Lajmi ka qarkulluar kudo në mediat e huaja, dhe sipas asaj që shkruan “Bloomberg” një prej anijeve të linjës së transportit Maersk, Campton me 60 kontejnerë, ishte planifikuar të ankorohej në Cape Town, në Afrikën e Jugut dhe rreth datës 20 gusht do duhej të mbërrinte në Tajlandë. Por, pas paralajmërimit të dhënë nga grupi ndërkombëtar i mbikëqyrjes “BAN”, në datën 31 korrik u fik GPS-i i anijes dhe ankorimi nuk u bë i mundur.
Drejtoria e Doganave thotë se ka nisur një hetim ndërkombëtar dhe në bashkëpunim me OLAF dhe po punohet për lokalizimin e anijes.
Gjithashtu konfirmohet konfirmon se kjo anije që është nisur nga Porti i Durrësit, ka pasur një ndalesë në Trieste dhe më pas ka nisur rrugëtimin për në Tajlandë.
“Ka nisur një hetim ndërkombëtar për rastin, pas një njoftimi të mbërritur nga Sekretariati i Konventës se Bazelit për trafik mbetjesh toksike nga Shqipëria drejt Tajlandës. Menjëherë drejtoria Antitrafik pranë doganës Shqiptare është bërë pjesë e hetimit në bashkëpunim me OLAF Dogana konfirmon se anija që ka fikur sinjalin e vendndodhjes është nisur nga Durrësi dhe pas një ndalese në Trieste ka vijuar rrugëtimin e saj me destinacion Tajlandën”, thuhet në reagimin e Drejtorisë së Doganave.
Kompania Maersk konfirmoi se janë dy nga anijet e saj të mallrave, Campton dhe Candor, që po transportojnë kontenierë me origjinë nga Shqipëria. Në një reagim për Bloomerg, kompania Maersk nuk ka deklaruar se anijet përmbajnë mbetje të rrezikshme, përndryshe do të kishin refuzuar t’i transportonin ato, tha zëdhënësja Summer Shi.