Menjëherë pas deklaratës së Drejtorit të Policisë mbi vrasjen e Egli Progës në Pogradec, Prokuroria e Korçës ka dalë me një reagim dhe një tjetër version të ngjarjes.
Prokuroria gjithashtu bën me dije se ka vënë nën hetim Inspektorin me iniciale A.L., nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.
Shtetasi në fjalë, me detyrë Inspektor, Trupë Shërbimi, Patrullë e Përgjithshme rezulton se nuk mori asnjë masë për të dokumentuar apo bërë prezent shkakun e vdekjes së Egli Progës.
Rezulton e provuar se prokurorit të gatshëm i është raportuar paraprakisht fakti se nga Salla Operative ka marrë njoftim se një person i dehur i moshës rreth 37 vjeç është rrëzuar dhe për pasojë ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Pogradecit, pra duke mos u treguar ajo çfarë realisht kishte ndodhur.
–Reagim i Prokurorisë Korçë:
Për të sqaruar opinionin publik dhe duke ju përgjigjur interesit të lartë të medias dhe shoqërisë civile në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 10.08.2024, ku shtetasi E.P., është gjetur pa shenja jete në qytetin e Pogradecit, Prokuroria e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë bën me dije se ka regjistruar procedimi penal nr.980 për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”, parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasit D.M.
Nga materiali i referuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, bëhet me dije se në datë 10.08.2024, rreth orës 19:00, është marrë njoftim se në afërsi të vendit të quajtuar “Axhensia”, tek rreth-rrotullimi, lagjia nr.2 në Pogradec, është gjetur një shtetas i shtrirë pa ndjenja, i cili pas mbërritjes së punonjësve të policisë lokale, është identifikuar shtetasi E.P.
Menjëherë janë marrë deklarimet e shtetasit A.B., kushëriri i viktimës, i cili deklaroi se ka qënë në një largësi rreth 30 metra kur ka parë që një person ka qëlluar me grusht një person tjetër dhe ai u rrëzua në tokë. Ai deklaroi se nuk u afrua po pa që doli pronari i lokalit, shtetasi V. Sh. dhe i ofroi ndihmë të dëmtuarit.
Po kështu, u morën deklarimet e shtetasit A.Sh., i pranishëm në ambjentet e brendshme të lokalit, i ulur në të njëjtën tavolinë me viktimën, i cili deklaroi se, kur ka ardhur viktima në lokal dukej në gjendje në dehur, fillimisht të dy me të dyshuarin po bënin shaka me njëri-tjetrin, dhe më pas viktima filloi të përdorte fjalë ofenduese ndaj të dyshuarit dhe ky i fundit i tha të dilnin pak jashtë të sqaroheshin. Ai deklaroi se pa nga xhami i lokalit që i dyshuari e goditi me grusht viktimën i cili ra fillimisht në anën e një makine dhe më pas në tokë.
U morën deklarimet e shtetasve V.Sh, A. M. dhe L. G. të cilët deklaruan se nuk e panë ngjarjen po shkuan pranë viktimës pasi dëgjuan të bërtitura. Gjithashtu u krye këqyrja e jashtme e viktimës, gjatë së cilës u konstatuan dëmtime në pjesën e fytyrës, në krahun dhe këmbën e majtë, por nuk përcaktohet shkaku i këtyre dëmtime, nëse është si rezultat i goditje me grushta, me sende të tjera, apo nga rrëzimi i trupit të lirë të viktimës në trotuar dhe mundësia e përplasjes ndërkohë me ndonjë send. Në lidhje me këtë çështje priten përgjigje nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Pasi u bë identifikimi i shtetasit D.M., si autor i dyshuar që dëmtoi shtetasin E. P., u kryen veprime operative dhe teknike të tjera me qëllim gjetjen e vendndodhjes së tij, deri në momentin që ai u paraqit vetë pranë Komisariatit të Policisë Pogradec.
Në deklarimin e tij, shtetasi D. M., shprehet se nuk ka patur si qëllim vrasjen e shtetasit E.P., ka tentuar ta godasë, por nuk e ka goditur, pasi ai është rrëzuar direkt vetë në tokë. Më pas i çorientuar është larguar. Këto janë provat që janë përcjellë nga policia pranë Prokurorisë Korçë.
Në bazë të nenit 244 të K.Pr.Penale, seanca e zhvilluar nga gjykata ka qënë për vleftësimin e arrestimit dhe caktimin e masës së sigurimit personal për shtetasit nën hetim, seancë gjatë së cilës vleftësohet nevoja për caktimin e një mase sigurimi ndaj personit, për të siguruar që nuk do të prishë provat, nuk do të largohet, apo nuk do të kryeje vepra të tjera penale.
Në këto kushte, ndaj shtetasit D. M., që nga provat e deritanishme rezulton autor i ngjarjes, u kërkua dhe caktua masa e sigurimit ‘arrest në burg’. Ndërsa për personat e tjerë të arrestuar për moskallëzim krimi (vepër e dënueshme deri në 3 vjet burgim), në kushtet kur provat kanë qënë të pakta në ngarkim të tyre, u caktua masa e sigurimit detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore.
Në rastin konkret, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë, po kryhen ende veprime hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, veprimeve të ndërmarra ndaj viktimës, nga çdo person që mund të ketë qënë i përfshirë, që mund të jenë edhe persona të tjerë nga ata që janë referuar nga Policia.
Nga Prokuroria do të merren të gjitha provat e nevojshme për të konkluduar me akuzë ndaj shtetasve nën hetim të cilët do të merren si të pandehur, për vepra penale që mund të jenë të ndryshme nga ato për të cilat është regjistruar procedimi penal. Ndryshimi në regjistër i veprës penale mund të kryhet në çdo moment nga Prokurori në bazë të provave që do të merren. Theksojmë që ende nuk është administruar në dosjen hetimore akti i ekspertimit mjekoligjor, provë thelbësore për ngjarjen, si dhe po punohet në lidhje me pamjet filmike. Gjithashtu nga Prokuroria po punon intensivisht për kryerjen e veprimeve të nevojshme hetimore të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe personat e pëfshirë dhe rolin e tyre.
Nga Prokuroria fillimisht është regjistruar procedimi për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”, parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal, kjo edhe në referim të praktikës gjyqësore në raste të ngjashme, duke vlerësuar që nga materialet e referuara nga policia, goditja me grusht (siç ka rezultuar nga dëshmitë, autori i dyshuar e ka goditur vetëm një herë me grusht viktimën), nuk tregon vullnetin e viktimës për të vrarë një person, përndryshe prej tij do të ishte zgjedhur me shumë mundësi një send tjetër për të realizuar qëllimin e tij kriminal, por vetëm për ta dëmtuar atë, ndërsa vrasja me dashje kërkon qëllimin e viktimës për ta vrarë personin, duke marrë edhe sendet e nevojshme per ta realizuar qëllimin e tij.
Nga aktet e para të administruara në dosje dyshimi krijohej për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”, parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal. Sqarojmë se, në momentin që materialet e policisë përcillen në Prokurori, prokurori i vlerëson ato dhe e regjistron procedimin për veprën penale që ka dyshim në atë moment dhe vetëm mbi provat e para që janë marrë.
Nga provat që do të merren në vijim, do të bëhet edhe regjistrimi përfundimtar i veprës penale si dhe do të njoftohet akuza personave të pandehur.
– Njoftimi për nisjen e hetimit ndaj inspektorit:
Nuk mori masa për dokumentimin e ngjarjes ku humbi jetën shtetasi E.P. Prokuroria e Korçës merr nën hetim Inspektorin për ‘Shpërdorim Detyre’
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë merr nën hetim shtetasin A.L. i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i Detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Shtetasi në fjalë, me detyrë Inspektor, Trupë Shërbimi, Patrullë e Përgjithshme rezulton se nuk mori asnjë masë për të dokumentuar apo bërë prezent shkakun e vdekjes së shtetasit E.P. më 10.08.2024 në Pogradec.
Më datë 10.08.2024, rreth orës 19:00, është marrë njoftim se në afërsi të vendit të quajtuar “Axhensia”, tek rreth-rrotullimi, lagjia nr.2 në Pogradec, u gjet një shtetas i shtrirë pa ndjenja. Pas mbërritjes së punonjësve të policisë lokale u identifikua si shtetasi E.P. i cili u transportua në spital pa shenja jete.
Lidhur me ngjarjen janë pyetur shtetasit V.Sh., A.B., A.Sh., R.B., L.G., A.M., dhe D.M.
Nga deklarimi i shtetasit A.B., rezultoi se në momentin që ka qenë në spital ku ka shoqëruar viktimën, ka dëgjuar duke folur në telefon Inspektorin, A.L., i cili ka komunikuar faktin se një person është i pirë dhe është rrëzuar.
A.B. i ka thënë se kushëriri i tiij (viktima) ishte goditur, por inspektori i ka thënë ‘ore ik andej’.
Veprimet hetimore paraprake të cituara më lart, të kryera në funksion të një hetimi të plotë dhe të gjithëanshëm të kësaj çështjeje penale, kanë krijuar një dyshim të arsyeshëm të bazuar në prova, se nga ana e shtetasit A.L., janë konsumuar elementë të veprës penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ parashikuar nga nenit 248 i Kodit Penal, për shkak se ky shtetas me detyrë Inspektor, Trupë shërbimi, Patrullë e Përgjithshme, në shkelje të detyrave të tij funksionale, nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të dokumentuar apo bërë prezent shkakun e vdekjes së viktimës edhe pse ky shkak i është bërë prezent nga dëshmitari okular i ngjarjes shtetasi A.B.
Gjithashtu rezulton e provuar, se prokurorit të gatshëm i është raportuar paraprakisht fakti se nga Salla Operative është marrë njoftim se një person i dehur i moshës rreth 37 vjeç është rrëzuar dhe për pasojë ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Pogradecit.
Në këto rrethana, shtetasi i sipërpërmendur u mor në përgjegjësi penale për vëprën penale të dyshuar të kryer prej tij, për shkak se si pasojë e veprimeve të tij nuk është bërë i mundur dokumentimi real i ngjarjes së ndodhur.
VERSIONI I POLICISË SË SHTETIT
Reagim i Drejtorit të Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për ngjarjen në PogradecNisur nga fakti se pavarësisht informacionit zyrtar të ndarë me publikun nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, ka vijuar një dezinformim dhe keqinformim i publikut përmes burimesh të ndryshme, lidhur me ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë në Pogradec, ku si pasojë e një konflikti humbi jetën një 42-vjeçar, duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e të ndjerit, ndjehem i detyruar të informoj opinionin publik, me përgjegjësi të plotë, si vijon:Aludimi se është tentuar të fshihet ngjarja nga Shefi i Komisariatit të Policisë Pogradec është i pabazuar në asnjë dyshim të arsyeshëm, provë apo fakt konkret dhe si i i tillë është skandaloz. Në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, nga asnjë punonjës i Policisë së Komisariatit të Policisë Pogradec, nuk është tentuar të fshihet apo minimizohet ngjarja e rëndë. Kjo ngjarje është vlerësuar maksimalisht nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe ato të Komisariatit të Policisë Pogradec. Më konkretisht nga Policia:1 – Është shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes; 2 – Është bërë njoftimi i spitalit;3 – Është ngritur grupi hetimor; 4 – Janë sekuestruar kamerat e lokalit; 5 – Janë shoqëruar disa persona, që kanë qenë të pranishëm në momentin e ngjarjes; 6 -Janë kryer të gjitha veprimet e para në vendngjarje, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e saj të plotë. Si rezultat i veprimeve profesionale të kryera nga grupi hetimor, të cilat janë të gjitha të dokumentuara dhe çdo i interesuar është i ftuar t’i shqyrtojë, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes në kohë rekord. U identifikua dhe u arrestua autori, së bashku me tre shtetas të tjerë (këta të fundit për moskallëzim krimi) dhe materialet procedurale janë përcjellë në Prokurori për veprime të mëtejshme.Në përfundim të veprimeve të para hetimore që rezultuan me zbardhjen e ngjarjes dhe arrestimin e autorit të dyshuar, Drejtoria Vendore e Policisë Korçë dha njoftimin e saj zyrtar, që për arsye të natyrave të ndryshme u anashkalua, deformua dhe madje u mohua. U ftuan mediat dhe kushdo që ishte i interesuar për informacion mbi veprimtarinë e strukturave policore apo për ngjarjet e ndodhura në territorin e Qarkut Korçë, që t’i drejtohen Zyrës së Komunikimit me Median e Publikun në Drejtorinë Vendore të Policisë dhe jo t’u referohen burimeve jozyrtare. Nuk u paraqit askush, por u ngrit një tymnajë insinuatash, fabrikimesh dhe akuzash të neveritshme në adresë të Policisë së Shtetit. Policia e Shtetit nuk është as e përsosur dhe as e pagabueshme. Por baltosja e saj si në këtë rast është jo thjesht e pabazuar, po është e dënueshme moralisht dhe ligjërisht, sepse cenon integritetin dhe besueshmërinë e garantit të rendit publik. Dua të bëj me dije se, Policia e Shtetit do të ndërmarrë hapa ligjorë për të bërë deri në fund transparencë mbi shkaqet dhe qëllimet e përhapjes së këtij dezinformimi dhe keqinformimi të qëllimtë mbi rolin e saj në këtë ngjarje. Ngjarja dhe roli i Policisë së Shtetit në lidhje me të janë të qarta si drita e diellit dhe po e ritregoj bazuar vetëm mbi provat e faktet. Në lagjen nr. 1, Pogradec, gjatë një konflikti për motive të dobëta shtetasi D. M., 29 vjeç, dyshohet se jashtë ambienteve të një lokali është konfliktuar fizikisht me shtetasin E. P., 42 vjeç, i cili gjatë konfliktit fizik është rrëzuar në tokë pa ndjenja dhe për pasojë ka ndërruar jetë.Veprimet e kryera nga struktura policore të angazhuara për hetimin e zbardhjen e ngjarjes:• Marrë njoftim mbi ngjarjen në orën 19:09;• Njoftuar e kërkuar ndihmë mjekësore për spitalin e Pogradecit, në orën 19:10;• Shërbimi policor është paraqitur në vendngjarje për 3 minuta;• Vendosur kufizimi dhe perimetri i sigurisë së vendngjarjes kriminale;• Ngritur grupi hetimor i specializuar, angazhuar drejtues të DVP Korçë, dhe struktura e posaçme për hetimin e vrasjeve;• Këqyrur e sekuestruar pajisjet e kamerave të sigurisë që mbulonin fushëpamjen e vendit të ndodhjes së ngjarjes së rëndë kriminale, pajisje që administrohen nga institucioni i Prokurorisë për ekzaminim.Shtetasi D. M., 29 vjeç, pas konfliktit është larguar nga vendi i ngjarjes, por falë reagimit në kohë të Policisë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij për veprën penale “Vrasja me dashje”.E theksoj, “Vrasja me dashje”! Në vijim të veprimeve për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje, shërbimet e Seksioni për Krimet Kundër Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, arrestuan në flagrancë shtetasit:V. S., 40 vjeç, A. M., 55 vjeç, dhe L. G., 47 vjeç, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Këta shtetas kanë qenë të pranishëm kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë kallëzuar krimin, duke penguar zbardhjen e së vërtetës. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.Nëse Prokuroria ka kërkuar një masë tjetër nga ajo për të cilën Policia e Shtetit ka kryer arrestimin, kjo është një çështje që, as nuk na takon, as kemi tagrin ta komentojmë. Por të pretendohet dhe të propagandohet se, Policia e Shtetit tentoi ta fshihte ngjarjen apo të zbuste rëndesën e saj, kur ne ia kemi dorëzuar autorin e krimit drejtësisë në kohë rekord dhe me motivin “Vrasja me dashje”, kjo është e papranueshme, e pajustifikueshme dhe e patolerueshme.Ftoj publikun dhe median të kenë besim te Policia e Shtetit, te punonjësit në çdo skaj të vendit, për punën dhe sakrificën e tyre që bëjnë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike për qytetarët vendas, vizitorët dhe turistët, si dhe të shfrytëzojnë çdo mundësi për të marrë informacion zyrtar e të besueshëm.