Operatorët e transportit urban kryeqytetas, për shkak të shtimit të kostove nga karburanti dhe pagat e punonjësve, kanë përsëritur vazhdimisht kërkesën për dyfishimin e çmimit të biletës nga 40 lekë në 80 lekë.
Por Bashkia e Tiranës ka zgjedhur ta subvencionojë rritjen e munguar të çmimit të biletës dhe të shtojë vlerën e kompensimit për abonenë e studentëve.
Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban Qytetas, Kostandin Foni, tha për Monitor se janë zhvilluar një sërë takimesh me nënkryetaren e Bashkisë së Tiranës, teksa pritet që formula për përllogaritjen e subvencionit të paraqitet nëpërmjet një draft projektvendimi.
Mbështetur në llogaritjen e shpenzimeve dhe sasinë e shitjes së biletave nga secili operator do të llogaritet edhe shuma e dhënies së subvencionimit që do të jetë e përmuajshme.
Sipas Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas parashikohet që kompensimi të jetë 12 lekë për çdo biletë të shitur. Po ashtu për shpërndarjen e aboneve falas për studentët nga muaji tetor deri në qershor, Bashkia e Tiranës kompenson operatorët në vlerën e 600 lekë për abone.
Nisma e Bashkisë së Tiranës “Abone falas për studentët” ka nisur zbatimin nga 1 nëntori 2022. Për studentët e pajisur me kartë studenti për të gjitha linjat, në transportin qytetas në bashkinë e Tiranës” është përcaktuar dhe mënyra e kompensimit, bazuar në vendimin e Bashkisë së Tiranës, pra kompensimi për 600 lekë/abone e shitur.
Me ndryshimet për dhënien e kompensimet operatorët pritet të përfitojnë 1,600 lekë kompensim, sa çmimi i abonosë së përgjithshme. Pra mund të ketë një rritje të subvencionimit për abonenë e studentëve prej 1,6 herë. Në muaj për të gjithë operatorët shpërndahen 22,000 -23,000 abone falas për studentët, për periudhën e vitit akademik që nis nga muaji tetori dhe përfundon në qershor.
Kompanitë kanë ngritur disa herë shqetësimin se për secilin operator në Tiranë shitjet e biletave ranë 37% nga shpërndarja e aboneve falas. Në tetor 2023, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas në një letër drejtuar bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Arsimit ku u kërkohej rimbursimi i plotë në vlerën e 1,600 lekë të aboneve të studentëve që shpërndahen falas, pasi dhënia e tyre falas rrezikonte falimentimin e 11 kompani të transportit urban për 16 linja.
Transporti publik i Tiranës vijon të jetë në gjendje të rënduar financiare për shkak të rënies së numrit të pasagjerëve dhe shtimit të kostove nga karburanti, mirëmbajtja dhe rritja e pagave e shoferëve dhe faturinove.
Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas Kostandin Foni tha për “Monitor” se përgjatë vitit numri i pasagjerëve në linjat urbane vijon të jetë me rënie 35%, ndërsa në muajt e verës ka 50% më pak pasagjerë.
Sipas tij gjithashtu kostot e mirëmbajtjes për flotën e autobusëve janë dyfishuar për secilin operator nga nisja e luftës në Ukrainë dhe deri tani.
Gjithashtu janë dyfishuar edhe rritjet e kostove për pagat e personelit. Paga mesatare e një shoferi ka arritur 90 mijë në muaj, ndërsa e një faturino75 mijë në muaj.
“Për shkak të vështirësive financiare operatorët e kanë të pamundur të mbijetojnë apo dhe më tej të përmirësojnë shërbimin. Ndërsa shtimi i flotës së mjeteve është kosto e shtuar, kur numri i pasagjerëve është me rënie”, pohon ai.
Në Tiranë janë 12 operatorë të licencuar që operojnë në 16 linja.
Shoqata paralajmëron se në rast se nuk arrin të miratohet formula për dhënien e kompensimit brenda muajit shtator, atëherë të gjithë operatorët e transportit publik qytetas rrezikojnë të ndërpresin shërbimin./ Monitor