Në morinë e informacionit të përditshmërisë shqiptare, ku sakaq lajmi gëllitet nga “kryelajmi”, e më pas përcillet prej luzmës së komenteve në pasarela ekranesh, ku thuajse ngahera panelojnë të njëjtët panelistë, është e vështirë të shenjestrosh diçka të vlefshme. Shpesh rastësia luan një rol të dorës së parë.
Fakti se katër prej studiove më të famshme në botë kanë shprehur interesin e tyre për të qenë pjesë e garës për të projektuar Auto Moto Parkun në Shqipëri, mbetet një shenjë e rëndësishme e realitetit tonë aktual që të cyt të shkosh sa më tej. Po çfarë është ky projekt? Pse sot dhe jo dje? Pse jo nesër? Konceptualisht janë pyetje që të çojnë drejt një reflektimi për dialektikën, apo vizionin ardhmëror.
Në të vërtetë vizioni apo të qenurit vizionar ngatërrohet shpesh me të qenurit në kohë, bash i orientuar sipas domosdoshmërisë që duhet përmbushur, edhe pse të tjerë mund të jenë “me vonëse”. Patjetër që kjo kërkon reagim, shqisë dhe ambicie, por mbetet një proces përlotësues dhe jo pararendjeje për diç që edhe mund të duhet, por puna pret. Për ta thjeshtëzuar, vizionar mbetet Niçe, i cili në trajtë krejt kontraverse, në kulmin e shkëlqimit të gjithanshëm të Europës së fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, parashikoi luftra të egra dhe sikurse e pohon Cvajgu te “Bota e djeshme”, fatkeqësisht ishte një profeci që u përmbush, sepse kontinenti krejt në beft shkoi furishëm drejt dy tragjedive më të rënda. Ndërkohë nismat që përmbushin boshin e së shkuarës, si kjo në fjalë, janë domosdoshmëri e të sotmes madje duke rendur drejt përmbushjes, sepse në vende të tjera janë krijuar deri edhe një shekull më herët.
Sipas informacioneve Auto Moto Parku në Shqipëri, inicuar prej DPSHTRR-së me mbështetjen financiare të qeverisë, i përcaktuar tashmë në zonën e Elbasanit, do të funksionojë si një qendër multifunksionale, e realizuar me parametra bashkëkohorë, me një sërë shërbimesh. Përveç pistës për gara të ndryshme, më tribunat përkatëse, do të ketë kurse për kualifikime dhe trajnime, përmes një stafi profesionist, një ekspozitë të automjeteve Retro tok me një ent certifikimi për mjete që përmbushin kriterin për të qenë të tilla, madje edhe me një shkollë profesionale për restaurim. Ky komples sportiv, argëtues, por edhe edukues do të jetë një nyje shumë e rëndësishme ekonomike e turistike jo vetëm për zonën e Elbasanit por për krejt vendin, sepse do të jetë pjesë e hartës së strukturave të tilla në Europë e më gjerë sipas parametrave bashkëkohorë.
Ndërkohë, më në fund, “të vluarit” ndaj shpejtësisë, “danoçët” e sotëm, do të kenë mundësinë t’a “shkundin” siç duhet adrenalinën e tyre, pa rrezikuar veten e të tjerë në pista rruge të improvizuara, siç ndodh tashmë, hera herës me një fund tragjik. Vetë nuk jam ndonjë pasionant kubikësh dhe shpejtësie, madje modestisht i përkas kategorisë së shoferëve që zbatojnë proverbin afrikan, “Të rinjtë ecin më shpejt se të vjetërit, por të vjetrit njohin rrugën”, por kjo nismë mbush një zbrazëti të ndjeshme në këtë fushë dhe të qenurit pjesë e atyre që shëtisin, shohin, janë pjesëmarrës aty ku munden në një të tillë kompleks do të ishte kënaqësi.
Tashmë DPSHTRR, gjithnjë e më shumë po dëshmon shndërrimin e saj në një strukturë krijuese në sintoni me simotrat e saj kudo në vendet e zhvilluara dhe jo thjesht një ent dobie shërbimesh merr e jep targa e patenta. Janë disa projekte që e kanë dëshmuar dhe e dëshmojnë këtë realitet por suksesi i Auto Moto Park Albania ndoshta do të mbetet i një niveli vështirë për t’u thyer.
Nga Eldon Gjikaj