Një rrjet prostitucioni që drejtohej nga një tutore kineze është zbuluar nga policia në Tiranë.
Yhong Yang, 52 vjeçe, bashkë me mikeshën e saj ishin vendosur Tiranë ushtronin veprimtarinë e paligjshme të prostitucionit duke shfrytëzuar vajza të huaja, kryesisht nga Kina dhe Filipinet.
Bashkëpunëtorja e saj është shpallur në kërkim, ndërsa 7 vajza nga Filipinet që shfrytëzoheshin për prostitucion janë vënë në hetim.
Vajzat reklamoheshin në një faqe interneti me emrin ‘Escort Tirana’, teksa vendi i prostitucionit ishte në një apartament në rrugën ‘Haxhi Dalliu’, pranë Prokurorisë së Tiranës.
Tutorja merrte vajza të reja nga Kina dhe nga Filipinet, të cilat i priste në Rinas dhe më pas i dërgonte në ambientin e marrë me qira, ku aty realizoheshin fotot erotike të vajzave dhe reklamoheshin me pas në faqe. Çmimi për shërbimet seksuale nga vajzat varionte nga 150 deri në 300 euro dhe prostitucioni ushtrohej nëpër apartamente ‘Airbnb’, në zona të ndryshme të Tiranës.
Vajzave të huaja u duhej vizë punë për të ardhur në Shqipëri dhe leje qëndrimi nga policia kufitare. Sektori për Hetimin e Trafiqeve po hetojnë nëse dokumentacioni bëhej nëpërmjet vizave të rregullta pune apo përmes dokumenteve false.
Njoftimi nga policia:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Red light 2”, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Rekrutonte shtetase të huaja dhe më pas i shfrytëzonte për prostitucion, arrestohet një shtetase kineze.
Shpallet në kërkim bashkëpunëtorja e saj dhe procedohen penalisht 7 shtetase të tjera, për ushtrim prostitucioni.
Sekuestrohen 4500 euro të përfituara nga ky aktivitet kriminal, 1 laptop, 3 aparate celulare, 2 pasaporta, dhe 3 fletore me shënime.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e trafiqeve të paligjshme, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Red light 2”.
Në kuadër të këtij operacioni:
– u arrestua shtetasja kineze Y. Y., 52 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprat penale “Shfrytëzimi prostiucionit”, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, dhe “Dëmtime te tjera me dashje”, parashikuar nga nenet 114, 115, 90 të Kodit Penal.
– u shpall në kërkim shtetasja kineze N. D., 38 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprat penale “Shfrytëzimi prostiucionit”, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, dhe “Dëmtime te tjera me dashje”, parashikuar nga nenet 114, 115, 109-b, 90 të Kodit Penal;
– u proceduan në gjendje të lirë 7 shtetase të huaja për ushtrim prostitucioni.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se dy autoret e dyshuara, nëpërmjet rrjeteve sociale rekrutonin shtetase kineze dhe filipineze, të cilat i akomodonin në një ambient të marrë me qira të përshtatur për shfrytëzim prostitucioni dhe më pas duke përdorur faqen “Escort Tirana” i shfrytëzonin për prostitucion. Në momentin që vajzat e rekrutuara kërkonin të tërhiqeshin nga ky aktivitet kriminal, dy autoret e dyshuara me anë të fotove të publikuara në faqen “Escort Tirana”, ushtronin dhunë ndaj tyre dhe presion ndaj familjarëve të vajzave të rekturuara.
Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasja N. D., me anë të shtrëngimit me anë të kanosjes, duke i bërë presion me anë të fotografive, ka marrë shumën 15 000 euro, nga njëra nga vajzat e shfrytëzuara, pasi kjo e fundit ka kërkuar të heqë dorë nga ky aktivitet kriminal.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4500 euro të përfituara nga ky aktivitet kriminal, 1 laptop, 3 aparate celulare, 2 pasaporta, dhe 3 fletore me shënime.
Materialet i kaluan Prokurorisë.