Prokuroria e Durrësit ka kërkuar sekuestrimin e dokumentacionit të përpunimit të materialit dhe dokumente të tjera pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, AKBN, Ministrisë së Mjedisit dhe kompanive private, të dyshuara si të përfshira në transportimin me 2 anijeve me 816 ton të dyshuara me mbetje toksike, të cilat ishin nisur nga Shqipëria drejt Tajlandës.
Kështu është sekuestruar i gjithë dokumentacioni i kompanisë Kurum International, e cila dyshohet se ka prodhuar edhe mbetjet toksike, që më pas i ka shitur tek kompania ‘Sokolaj’, që ka organizuar transportin në drejtim të Tajlandës.
Prokuroria ka kërkuar sekuestrimin edhe të dokumenteve të kompanisë “Sokolaj” shpk si eksportuese të këtyre mbetjeve, që rezulton në pronësi të shtetases Gjovana Sokolaj.
Janë sekuestruar edhe dokumentet që gjenden në doganën e Durrësit lidhur me eksportin e ngarkesës nga Durrësi në drejtim të Tailandës.
Ende nuk ka persona të shoqëruar apo të ndaluar, teksa pas vëzhgimit të këtyre dokumenteve, prokuroria do të nisë edhe marrjen në pyetje të personave që kanë pasur lidhje me këtë ngarkesë apo me dokumente të përpunimit të materialeve.
Ndërkohë ngarkesa e bllokuar në Tailandë dhe e kthyer mbrapsht është ende në udhëtim.
Mësohet se me të mbërritur në portin e Durrësit, do të merren kampionë për t’i analizuar e për të parë nëse lënda është toksike apo jo. Në Elbasan, kompania turke Kurum, në të cilën janë punësuar 500 punonjës, ka mbyllur dyert dhe ka pezulluar aktivitetin.