34-vjeçari Amarildo Hoxhallari ndërroi jetë në spital mbrëmjen e djeshme, pasi u godit 4 herë me thikë në zonën e ‘Astirit’.
Autori i dyshuar është Darmend Keli 25 vjeç, tashmë i arrestuar nga policia.
Mësohet se Keli ka qenë në shtëpi dhe ka parë nga ballkoni që Hoxhallari i ka ngacmuar të fejuarën. Në këtë moment, ai ka marrë një thikë nga shtëpia dhe ka zbritur poshtë, teksa e ka qëlluar 4 herë, dy goditje në gjoks dhe 2 në këmbë.
Bëhet me dije se autori dhe viktima nuk njiheshin më parë me njëri-tjetrin.
Viktima Amarildo Hoxhallari nuk është emër i panjohur për drejtësinë, pasi në vitin 2015, ai u arrestua së bashku me kushëririn e tij Aurel Hoxhallari, pasi u akuzua si porositësi dhe financuesi i atentatit të ndodhur më 5 janar 2015 në rrugën e Kavajës, ku mbeti i plagosur Pajtim Serjani, mik i Emiljano Shullazit dhe një polic.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u kap dhe u shoqërua në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale shtetasi D. K., 25 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi D. K., për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës shtetasin A. H., 34 vjeç. Ky shtetas si pasojë e dëmtimeve të marra ka ndërruar jetë në spital”-ka informuar policia e Tiranës.