Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, thanë të shtunën se janë të gatshme të trajtojnë çdo zhvillim që ka të bëjë më sigurinë, ndërsa ritheksuan mbështetjen ndaj bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.
Në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës, lidhur me shtimin e pranisë së forcave paqeruajtëse gjatë ditës së shtunë në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, KFOR-i tha se kjo “është pjesë e trajnimit periodik që KFOR-i kryen për të testuar procedurat e tij të veprimit dhe për të ruajtur standardet më të larta operacionale”.
KFOR-i, thuhet më tej në përgjigje, “po vëzhgon situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe mbetet i gatshëm. Ai është i vendosur të marrë të gjitha masat e nevojshme për të vazhduar përmbushjen e mandatit të dhënë nga Kombet e Bashkuara për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të mëtejshëm”.
Gjatë ditës zëvendëskomandanti i trupave të KFOR-it Federico Bernacca, u takua me përfaqësuesit e Listës Serbe, një ditë pasi autoritetet e Kosovës mbyllën komunat paralele serbe në veri, në një operacion që u kritikua menjëherë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe ka të ngjarë të rrisë tensionet me Serbinë fqinje.
Zoti Bernacca, sipas një komunikate për shtypin, nënvizoi përkushtimin e KFOR-it “që të kontribuojë për sigurinë dhe qëndrueshmërinë për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ndërsa ritheksoi mbështetjen e KFOR-it ndaj bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.
Të premten autoritetet e Kosovës thanë se “janë mbyllur institucionet paralele ilegale të vetëqeverisjes Lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.
Kosova i cilëson institucionet komunale të emëruara nga Beogradi të paligjshme.
Shuarja e institucioneve paralele serbe është paraparë me marrëveshjen e vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por zbatimi i saj ka ngecur.
Në fillim të muajit gusht autoritetet mbyllën Postën e Serbisë në veri dhe shpalosën planet për të hapur urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafikun e makinave, mes kritikave të perëndimit.
Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, Jim O’Brien, tha se “Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga veprimet e vazhdueshme të pabashkërenduara dhe provokuese të Qeverisë së Kosovës”./VOA