Burime ekskluzive për WebLajm kanë zbuluar se një nga personat më të njohur të botës së krimit në Shkodër është ndaluar teksa qarkullonte me mjetin e tij të blinduar tip “S-Class”. Mësohet se Safet Bajri fillimisht është ndaluar nga Policia e Lezhës dhe më pas është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës.
Bajri është shoqëruar për tu marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen e pak ditëve më parë në Bushat, ku u qëllua me breshëri plumbash në një mjet të blinduar ‘Audi’. Deri më tani, ende nuk është zbuluar se kush ishte personi që ndodhej brenda mjetit të blinduar pasi policia po mundohet ta mbajë sekret identitetin e tij.
Automjeti tip “Audi” me targa gjermane, i cili është gjetur i braktisur në vendin e ngjarjes, ka të dhëna se është përdorur për një kohë nga Eljo Hato, person ky i shpallur në kërkim nga SPAK-u, lidhur me ngjarjen e plagosjes së Taulant Pepaj në muajin shkurt 2021 në Shkodër.
Për ngjarjen, policia ka shpallur gjithashtu në kërkim dy vëllezërit Andrea e Aleksandër Prendi. Mësohet se i përfshirë në ngjarje ka qenë dhe një kushëri i tyre, i cili po ashtu është shpallur në kërkim.
Flitet se njëri prej tyre ka qëlluar nga një motor me automatik kallashnikov në drejtim të mjetit të blinduar tip audi, ndërsa të tjerët kanë qenë në një mjet tip BMW, mjet i cili aktualisht është sekuestruar nga Policia.