Facebook i nr dy të qeverisë dhe deklaratat e ish numrit dy të qeverisë janë ndër provat e PD e cila kërkon marrjen të pandehur të Ministres Belinda Balluku. WebLajm ka mundur të sigurojë kallëzimin e firmosur nga Gazment Bardhi depozituar në Spak më 12 gusht 2024. Sipas Bardhit rritja e çmimit për punimet në tunelin e Llogarasë prej 30 mil euro konsiderohet si “tarifa e suksesit” dhe akt korruptiv.
Në kallëzim thuhet se dëshmitar okular i kësaj afere korruptive ka qenë Arben Ahmetaj sot në arrati dhe i kërkuar nga Spak me një mandat arresti ndërkombëtar.
Pjesë e Kallëzimit Penal firmosur nga Bardhi ndaj Ballukut:
Nga verifikimi i profilit zyrtar në rrjetin social “Facebook”, të shtetases Belinda Balluku, me detyrë ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, rezulton se në datën 03.06.2021 (21 ditë para rishpalljes së tenderit), ka publikuar një postim, me përmbajtje si vijon: “Ditë plot produktivitet gjatë vizitës në Turqi. Takime me kompanitë e ekselencës në fushën e teknologjisë dhe infrastrukturës për të implementuar pjesë të rëndësishme të programit zhvillimor.”. Nga fotot shoqëruese të takimit, shihet se kanë marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama dhe zëvëndëskryeministri Arben Ahmetaj.
Ky i fundit në një intervistë televizive të datës 29 Korrik 2024 konfirmon se në këtë takim në Ankara është paracaktuar edhe fituesi i kësaj procedure prokurimi.Nga analiza e fakteve dhe të dhënave të mësipërme, del se punimet për ndërtimin e tunelit të Llogarasë u kryen efektivisht nga shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a. Kjo e fundit kishte marrë pjesë në procedurën e parë të tenderimit, duke paraqitur ofertën në vlerën 140 milionë euro dhe rezulton të ketë marrë edhe nga nënkontraktimi po këtë shumë. Megjithatë, tenderi ishte anulluar dhe rishpallur, në përfundim të cilit kishte rezultuar fituese BOE INTEKAR – ASL, me ofertë 170 milionë euro ose 30 milionë euro më shumë se shoqëria “Gjoka Kontruksion” sh.a. Kjo diferencë prej 30 milionë euro është “tarifë suksesi” e shoqërisë “INTEKAR – ASL”, pa kryer asnjë punë, pasi të gjitha punimet janë realizuar nga shoqëria shqiptare “Gjoka Konstruksion” sh.p.k..
Nga kjo skemë, mbi të cilën rëndojnë dyshime serioze për korrupsion apo abuzim me detyrën, Buxhetit të Shtetit provohet se i është shkaktuar një dëm prej të paktën 30 milionë euro, për shkak se nuk pasqyrohet ndonjë shpenzim për këtë vlerë. Në këto kushte, ekzistojnë dyshime të arsyeshme se shtetasja Belinda Balluku, me detyrë zëvëndëskryeministër dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe persona të tjerë që do të konstatohen gjatë hetimit, përfshirë anëtarët e komisioneve të procedurave të prokurimit, kanë konsumuar në bashkëpunim elementët e veprave penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuar nga nenet 258 dhe 260 të Kodit Penal. Prandaj, duke pasur parasysh sa më sipër, në mbështetje të neneve 75/a, 280 dhe 281 të Kodit të Procedurës Penale, kërkojmë nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar: