Kombëtarja shqiptare e U21 merr një fitore të rëndësishme në transfertë në kualifikueset e Euro 2025.
Kuqezinjtë e drejtuar nga Alban Bushi iu imponuan Zvicrës duke e mundur në fushën e kësaj të fundit 2-1 ku protagonistë u bënë Adrion Pajaziti dhe portieri Lilo.
Zvicra priti vetëm 16 minuta për të marrë avantazhin në këtë ndeshje teksa shënoi golin e avantazhit me anë të Franck Surdez.
Por festa e 21-vjeçarëve helvetë nuk zgjati shumë pasi Kombëtarja jonë reagoi dhe pas 2 minutash barazoi rezultatin në 1-1 me golin e Adrian Pajazitit, pas një aksioni vërtet të bukur dhe festa ishte e gjitha për të besuarit e Alban Bushit. Skuadrat shkuan në pushimin e ndeshjes me barazimin 1-1.
Në pjesën e dytë Pajaziti u bë sërisht protagonist për Kombëtaren U21 teksa në minutën e 69 shënoi një gol spektakolar me një gjuajtje nga distanca duke bërë që skuadra jonë përfaqësuese të përmbysë rezultatin duke marrë avantazhin 2-1.
Në minutën e 85 Zvicra pati shansin e artë për të barazuar rezultatin me Nikolas Muçin, por portieri Lilo u shndërrua në heroin e kuqezinjve teksa priti penalltinë e tij duke ruajtur këtë fitore të rëndësishme të skuadrës sonë përfaqësuese.
Me këtë sukses Kombëtarja U21 shkon në kuotën e 13 pikëve në vendin e katërt, po aq sa edhe Finlanda në të tretin dhe 3 më pak se Rumania kryesuese, por kuqezinjtë e vegjël kanë 2 ndeshje më shumë./ SuperSport