Shqipëria arriti një fitore spektakolare me përmbysje përballë Ukrainës, duke marrë tre pikët në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve në Grupin B1. Një notë të lartë nga ky takim e ka marrë dhe trajneri Sylvinho, skema e së cilit mori maksimumin.
Ai ka thënë se kjo fitore është tepër e rëndësishme për ecurinë në këtë turne dhe se tashmë mendja është te takimi i “Air Albanias” pas tre ditësh me Gjeorgjinë.
“Një fitore shumë e rëndësishme, kujtoj që fitorja e fundit zyrtare ishte ndaj Çekisë prej shumë kohësh. Është e vërtete që grupi ishte i vështirë në Europian por fitorja është shumë e mirë, kemi bërë shumë mirë dhe është e merituar.
Është e vështirë të punosh për të, që të arrish të përmbysësh një ndeshje është një përqindje shumë e vogël suksesi, sidomos në këto nivele. Kundërshtarët janë shumë teknikë, një kundërshtar i fortë. Ne bëmë një ndeshje të mirë, nuk humbëm toruan, ndoshta pasi pësuam golin për 5 minuta ishim keq. Por sa i përket të ardhmes në turne, kjo fitore ishte kyç për të ecur para, se Gjeorgjia dhe Çekia janë shumë të fortë.
Ndryshime me Gjeorgjinë? Të shohim, është ende situatë e nxehtë, sapo kemi mbaruar një ndeshje të vështirë me shpenzim fizik të rëndësishëm. Nesër stërvitjen e kemi këtu e kthehemi në darkë në Tiranë. Nesër të shohim se si janë lojtarët, të shohim, ka pak kohë nga ndeshja e parë në të dytën. Por duhet të shohim deri në fund për të kuptuar nëse duhen bërë zëvendësime dhe sa.
Nuk e di kurrë situatën në këtë punë, vijnë të fundit dhe ndoshta 2-3 janë të dëmtuar. Kapiteni Gjimshiti mori një dëmtim të vogël muskulor, kishim një probleme me ndonjë tjetër, por puna është kjo. I besoj të gjithëve, kemi 35 lojtarë në listë pritje. I kam thënë që ky turne është i rëndësishëm, çdo herë është mundësi të bësh diçka të rëndësishme për njerëzit dhe ne, dhe ata e kanë kuptuar. Kjo është puna”, tha Silvinjo./SuperSport