Maqedonia e Veriut ka ndërhyrë në tabelat e sinjalistikës rrugore, tekda ka hequr gjuhën shqipe prej tyre.
Tani tabelat në afërsi të të vendkalimit kufitar Bllacë, kanë vetëm tri mbishkrime: gjuhën maqedonase, anglisht dhe frengjisht.
Shkodran Tolaj, ish-Drejtori i Ansamblit Shtetëror Shqiptar të Këngëve dhe Valleve Popullore në Maqedoninë e Veriut me anë të një postimi në Facebook ka denoncuar heqjen e gjuhës shqipe nga tabelat e rrugëve.
“MOS NA E KUJTONI BLLACËN E VITIT 1999.
Në Bllacë, në kufi me Kosovën, mbishkrimet e reja në maqedonisht, anglisht dhe frengjisht. Në shqip JO. U kthyem në vitet e rënda kur baballarët tonë nuk guxonin të flisnin shqip në shkollë!
Po na kujtoni dëbimin masiv të kosovarëve nga sërbët drejt Bllace, vetëm “Severna” në atë kohë mungonte!
Ndryshimi erdhi veç për të zezën e shqiptarëve! Çoni duart përpjetë kur nuk keni takat me mbrojt identitetin kombëtar”, shkruan Tolaj krah fotove.
Shenjat ku shkruhet “Република Северна Македонија” dhe tjetra “Добредојдовте во Република Северна Македонија” të shoqëruara edhe nga shkrimi në anglisht dhe frengjisht, janë vënë nga Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore”, ndërsa e njëjta ka nisur që ta heq shqipen nga shenjat në rrugët me të cilët menaxhon kjo ndërmarrje.
Tendenca për të minimizuar apo edhe më keq, për të hequr gjuhën shqipe nga përdorimi, ka filluar që me ardhjen e Qeverisë së re të VMRO-VLEN-ZNAM.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski ka caktuar një mbledhje ku do të shqyrtohet për shfuqizimin e tre neneve të gjuhës shqipe nga Ligji për zbatimin e gjuhëve.