Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar 11 bankave të nivelit të dytë që të zhbllokojnë llogaritë e klientëve të “Micro Credit Albania” (MCA) dhe “Final”, dy kompani këto të përfshira në skemën e mashtrimit që u bë publike në media.
Kërkesa është bërë nga Prokuroria, pas një bashkëpunimi me Bankën e Shqipërisë dhe Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Banka e Shqipërisë thotë se ishin shumë llogari të bllokuara, ndërkohë që vijon puna për ndryshimet rregullative për jo-bankat për mbrojtjen e konsumatorëve.
“Micro Credit Albania” dhe “Final” u sekuestruan nga Prokuroria e Tiranës për skemën mashtruese me kreditë që zhvatën qytetarët. Sipas hetimeve të Prokurorisë, ka rezultuar se shoqëritë tregtare MCA dhe Final, në bashkëpunim me shoqërinë ADCA dhe me disa shoqëri të tjera përmbarimore, kanë krijuar një skemë mashtruese me qëllim vjedhjen dhe zhvatjen e qytetarëve në miliona euro.