Prokuroria e Kukësit ka lëshuar 22 masa sigurie për punonjës të Policisë së Shtetit, pasi kanë përvetësuar lekët e gjobave në rrugë. Gjykata ka caktuar masën arrest me burg për 6 efektivë policie, për 4 arrest shtëpie dhe 12 të tjerë detyrim paraqitje.
Sipas hetimeve ka rezultuar se në total janë vjedhur 2.2 milionë Lekë të reja.
Policët nuk arkëtuan paratë për 160 gjoba për makinat me targa të huaja nga janari në dhjetor 2023, në autostradën Milot-Morinë.
‘Më datë 07.03.2024, 24.01.2024 dhe 26.01.2024, oficerët e Policise Gjyqësore pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, referuan në prokurori veprimtari të kundraligjshme të kryera nga punonjës të Policisë së Shtetit, Seksioni për Sigurinë e Autostradave Milot-Morinë. Për fillimin e veprimeve procedurale hetimore shërbeu një informacion që Shefi i Seksionit të kësaj Njësie, i dërgoi Drejtorisë së Qarkullimit Rrugor dhe Sektorit të Financës në Aparatin e DPPSH për verifikimin e pagesës për disa automjete me targa të huaja, që ishin ndëshkuar për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor dhe në sistemin E-Gjaba për periudhën 01.01.2023 deri në 31.12.2023 dhe rezultonin debitorë.
Gjobat e vendosuara për automjetet me targa të huaja, ishin vjelur në vend nga agjentët verifikues dhe shumat e parave nuk ishin arkëtuar, duke hedhur dyshime të arsyeshme të përvetësimit të tyre nga punonjësit e policisë që i kishin vendosur ato gjoba.
Gjobat e pa arkëtuara të vendosura për automjetet me targa të huaja nga agjentët verifikues të Njësisë së Sigurisë së Autostradave Milot-Morinë për periudhën 01.01.2023 deri në datë 31.12.2023 ishin në vlerën 1,279,000 lekë, që me kamatë vonesat e përllogaritur me 60%, shuma shkon në total rreth 2,123,140 lekë. Kjo shumë e pa arkëtuar për 160 gjoba në total dyshohet se u përvetësua nga punonjësit e Njësisë së Sigurimit të Autostradave Milot-Morinë.’- thotë prokuroria.
Ata akuzohen për “Shpërdorim të detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”. Në kërkim me masën arrest me burg dhe pezullim nga detyra është Inspektori B. S., me detyrë trupë shërbimi, në Seksionin për Sigurinë e Autostradave në Njësinë Operacionale për Sigurinë Rrugore dhe Sigurisë së Autostratave Milot-Morinë, i dyshuar për veprën penale, “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”.