Tranzicioni demografik dhe ndryshimi i stilit të jetesës e ka transformuar familjen shqiptare si në strukturë, edhe në model jete.
Gjithnjë e më shumë njerëz në moshë produktive 25-59 vjeç janë me status beqar, por më së shumti dominojnë meshkujt, sipas të dhënave nga Cens 2023.
Nga grupmosha 25-59 vjeç, në të gjithë vendin numërohen 213,232 meshkuj beqarë. Ata përbëjnë 40% të meshkujve në këtë grupmoshë.
Numri i femrave beqare në grupmoshën në shqyrtim është më i ulët, në mbi 129 mijë. Femrat beqare zënë 23% të grupmoshës 25-59 të popullsisë së gjinisë femërore.
Siç tregon grafiku i mëposhtëm, numri më i madh i meshkujve beqarë është në grupmoshën 25-29 vjeç, me rreth 67 mijë të tillë, që përbëjnë 31% të beqarëve gjithsej. Në grupmoshën 30-34 vjeç ka mbi 59 mijë meshkuj beqarë ose 27% e totalit të beqarëve meshkuj.
Në grupmoshën 35-39 vjeç ka 41 mijë meshkuj beqarë dhe në grupmoshën 40-44 vjeç ka 22,6 mijë beqarë. Numri i beqarëve vjen e ulet me moshën. Në grupin 50-54 vjeç ka mbi 6,800 meshkuj beqarë.
Në popullatën femra ka më pak beqare se sa meshkuj. Numri më i madh i femrave beqare është në grupmoshën 25-29 vjeç, ku numërohen rreth 59 mijë femra të pamartuara.
Në grupin 30-34 vjeç në të gjithë vendin janë 26,6 mijë femra beqare dhe gjithashtu rreth 26 mijë të tilla janë nga mosha 35-39 vjeç. Në moshën 50-54 vjeç janë 1166 femra beqare.
Siç shihet nga të dhënat ka diferenca të mëdha në numër ndërmjet femrave dhe meshkujve në të njëjtën grupmoshë. Për shembull nga mosha 30-34 vjeç ka 45% meshkuj beqarë më shumë se femra beqare.
Nga mosha 35-39 vjeç ka 62% meshkuj beqarë më shumë se femra me këtë status. Në grupmoshën 40-44 vjeç ka 61% më shumë meshkuj beqarë se femra. Tranzicioni demografik që ka vijuar në tre dekadat e fundit, ka krijuar emigracion të lartë të lëvizjeve të brendshme dhe rënie të lindjeve. Kjo ka bërë që të ketë zhvendosje të vendbanimeve.
Gjithnjë e më shumë meshkujt i drejtohen emigracionit dhe nuk zgjedhin arsimin dhe zanatet, ndërkohë femrat preferojnë të shkollohen. Rritja e disbalancave në arsim i pengon shumë meshkuj të gjejnë partneren e jetës dhe kjo vjen edhe për femrat beqare të cilat synojnë gjithnjë e më shumë të rriten në karrierë./ Monitor