Situata në Vlorë pas reshjeve intensive të shiut është përmirësuar ndjeshëm, teksa rrugët tashmë janë të aksesueshme për këmbësorët.
Uji tashmë është tërhequr nga lagjet, ndërsa vijon të jetë në garazhat nëntokësore të pallateve ku dhjetëra makina u përmbytën.
Në bashkëpunim me Rezervat e Shtetit janë dërguar për banorët e prekur 4,5 ton mallra ushqimore, 1,5 ton ujë dhe 200 litra detergjentë.
Kryetari i bashkisë, Ermal Dredha tha se faza tjetër do të jetë dalja në terren për të takuar familjet dhe bizneset që janë dëmtuar, teksa premtoi kompensim.
“Do të jemi të bashkërenduar duke takuar çdo qytetar për të treguar gjithë hallkat që do të ndjekin nëse do të ketë trajtim financiar dhe jo vetëm. Njerëzit të jenë të qetë se aq sa kemi ne në dorë do të bëjmë maksimumin tonë për ti ndihmuar të kthehen në normalitet. Duke pasur dhe trajtimin financiar që i takon”-tha ai.