Mbrëmjen e 6 gushtit të këtij viti, motrat Mariela dhe Antonela Berisha dhunuan brutalisht modelen Klea Prenga, teksa të dyja ndodhen edhe sot në arrati nga policia.
Ishte vetë Klea, e cila pasi denoncoi rastin në polici, e bëri edhe publik për mediat, teksa videoja ku ajo rrihej nga motrat Berisha qarkulloi kudo.
WebLajm.com ka siguruar ekskluzivisht dokumentin e akt-ekspertimit mjeko ligjor të ekzaminimit fizik, ku tregohen dëmtimet që ka marrë Klea Prenga nga Antonela dhe Mariela Berisha. Ndërkohë, burime për weblajm.com thanë se brenda pak ditëve ndaj motrave Berisha, të cilat ende s’janë kapur, do të nxirret edhe masa e sigurise arrest në mungesë.
Në dokument shkruhet:
“Tek shtetasja Klea Prenga u konstatua shembje e indeve të buta të fytyrës, plagë prerëse në anën e djathtë të fytyrës, të përpunuara kirurgjikalisht, me karakteristikat dhe lokalizimet e lartpërmendura, shoqëruar me humbje të ndjeshmërisë në lëkurën e anës së djathtë të fytyrës dhe anën e djathtë të buzës së sipërme. Këto dëmtime janë shkaktuar me mjet prerës, siç mund të jetë edhe xhami.
Dëmtimet e mësipërme, bazuar në kriterin e rrezikshmërisë për jetën në momentin e shkaktimit të tyre, klasifikohen në kategorinë e dëmtimeve të cilat sjellin si pasojë humbjen e përkohshme të aftësisë për punë në masën mbi 9 (nëntë) ditë, por, për shkak të dëmtimeve të konsiderueshme në regjione të dukshme të fytyrës,, si dhe ndërlikuar me humbje të ndjeshmërisë në anën e djathtë të fytyrës, nevojitet një ekzaminimin tjetër mjeko-ligjor 30 (tridhjetë) ditë nga momenti i shkaktimit të tyre, për të gjykuar mbi kategorinë përfundimtare të dëmtimeve trupore, bazuar mbi kriterin e “shëmtimit” apo “shkallës së humbjes së aftësisë së përhershme për punë.
Ekzaminimi objektiv
Në datën 09.09.2024 shtetasja e mësiperme u paraqit për ekzaminim objektiv pranë IML. Në momentin e paraqitjes, gendja e përgjithshme paraqitet jo e mirë. Nga ana emocionale, është e ngarkuar dhe ka një labilitet të shtuar. Referon se kohët e fundit është mbyllur në vetvete, ka kufizuar shumë daljet në publik dhe nuk i frekuenton më ambientet e dikurshme për shkak të kompleksit të krijuar nga pamja e jashtme. Referon se ka humbur punën si blogere për shkak të cënimit të imazhit dhe publikimit mediatik të ngjarjes.
Aktualisht, ankon për mpirje të anës së djathtë të fytyrës dhe kryesisht buzës së sipërme nga ana e djathtë. Gjatë lëvizjes së buzëve shihet një kufizim i mbylljes së plotë dhe hapje më e kufizuar në anën e djathtë të buzëve.
Në regjionin zigomatik suborbital të djathtë, vërehet mbetje e një plage në trajtën e gërmes “L” të përmbysur, me drejtim horizontal që fillon nga mollëza e djathtë dhe shkon në drejtim të kurrizit të hundës, me gjatësi të krahut të shkurtër 2.1 cm dhe krahut të gjatë 5.2 cm, në trajtë ulluku, me ngjyrë të kuqërremtë dhe nuanca të bardha e të zeza, në të cilën projektohen shenjat e 13 qepjeve.
Zona përreth mbetjes së plagës paraqitet edematoze, me trajtë elipsoide, me diametra 7 x 3.5 cm. Në regjionin tëmthor të djathtë vihet re një tjetër mbetje plagë, me të njëjtat karakteristika, trajtë gjatësore, pak e harkuar, 2.3 cm, me drejtim vertikal, me praninë e mbetjeve të 6 suturave. Në regjionin frontal të djathtë vihet re prania e një zone me nxirje të lëkurës me përmasa 3×2 cm, me konsistencë të ashpër, e dukshme në distancë të konsiderueshme.
Dëmtime të tjera të jashtme trupore nuk u konstatuan. E dëmtuara ka realizuar një ekzaminimin elektroneurografik për nervat facialë të anës së djathtë të fytyrës dhe nga ky ekzaminimin rezulton si më poshtë:
“Parametrat elektrofiziologjike janë brenda normës për nervin facial. Asimetria qe vihen në dukje i dedikohen më shumë dëmimeve të vogla të fibrave muskulare apo degeve fundore të nervit facial”.
Konkluzion: Duke u mbështetur në të dhënat e mësiperme arrijmë në përfundimin se:
Tek shtetasja Klea Prenga u konstatua mbetje e plagëve në fytyrë me karakteristikat dhe lokalizimet e lartpërmendura, shoqëruar me asimetri të dukshme të buzës së sipërme dhe muskulatures së anës së djathtë të fytyrës.
Këto demtime janë të përhershme, të pariparueshme vetvetiu apo me teknika të zakonshme mjekësore, si të tilla kanë dhënë për pasojë shëmtim tek shtetasja e mësipërme; ndaj bazuar mbi kriterin e “shëmtimit” keto dëmtime hyjnë në kategorinë e dëmtimeve të rënda trupore”.