Krimi ekonomik, Prokuroria e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë dhe Drejtorinë e Tatimeve, kanë filluar një aksion ndaj bizneseve që shesin artikuj kontrabandë dhe fshehin të ardhurat.
Mësohet se këto biznese kryenin aktivitetin e tyre kryesisht online, përmes “Facebook”, “Instagram” dhe “TikTok”, duke mos deklaruar shitjet në organet tatimore si dhe duke futur produkte kontrabandë në Shqipëri.
Janë ndaluar shtetasit Fabio Demerxhiu, Kristian Kurti, Ylli Imeraj, Marsel Velaj, si dhe janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit Engli Demerxhiu, Ermonela Myslymi, Leonard Filja, Fationa Qypi dhe Artur Imeraj.
WebLajm ka siguruar dokumentin ekskluzivi, në të cilin zbardhet operavcioni skema dhe emrat e bizneseve të kontrolluara dhe çfarë u konstatua nga ky kontroll i tyre.
“Është ushtruar kontroll në subjektin “Ermonela Myslymi”, me emër tregtar “Silver Shop”, me dy adresa, në rrugën “Myslym Shyri” dhe 2 “Muhamet Gjollesha”, në Tiranë. Gjatë kontrollit është kryer inventari fizik i produkteve dhe është krahasuar me inventarin kontabël nga ku ka rezultuar një diferencë pozitive prej 5443 gram (pesë mijë e katërqind e dyzetë e tre), e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Është ushtruar kontroll në subjektin “Engli Demirxhiu”, me emër “Silver Shop”, me dy adresa të ushtrimit të aktivitetit 1. Rruga “Abdyl Frashëri” dhe 2. Qendra Tregtare “QTU”, Tiranë. Gjatë kontrollit është kryer inventari fizik i produkteve dhe është krahasuar me inventarin kontabël nga ku ka rezultuar një diferencë negative prej 5499 gram (pesë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e nëntë) duke hedhur dyshime se janë kryer fshehje e te ardhurave.
Është shkuar në adresën e subjektit “Fabio Demerxhiu”, rruga “Balli Efendiu”, Krujë dhe nga shërbimet e policisë nuk është bërë e mundur gjetja e objektit apo vendndodhjes konkrete të këtij subjekti. Ai ka deklaruar se nuk ka dyqan fizik. Bizhuterite e importuara ai i ka shitur me fature tatimore dhe pjesën e mbetur prej 2300 gram (dy mijë e treqind) thotë se ja ka dhënë vëllait të tij, por nuk ka marrë akoma paratë duke e shitur këtë sasi pa kupon tatimor.
Është ushtruar kontroll në subjektin “Kristian Kurti”, me vend të ushtrimit të aktivitetit rruga Lluke Kacaj, në Tiranë. Gjatë kontrollit të ushtruar janë gjetur artikuj të ndryshëm të dyshuar kontrabandë dhe pa faturat përkatëse, të cilët u listuan dhe inventarizuan nga specialistët e administratës tatimore. Këta artikuj u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dhe për arsye të mungesës së kapaciteteve infrastrukturore të magazinimit.
Është ushtruar kontroll në subjektin “First Store”, me vend të ushtrimit të aktivitetit në Qendrën Tregtare Casa Italia, Tiranë. Gjatë kontrollit të ushtruar janë gjetur artikuj të ndryshëm të dyshuar kontrabandë dhe pa faturat përkatëse, të cilët u listuan dhe inventarizuan nga specialistët e administratës tatimore.
Është ushtruar kontroll në subjektin “Marsel Velaj” “me adresë të ushtrimit të aktivitetit rruga “Pavarësia”, Lagjja nr. 13, Durrës. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar produkte të ndryshme si portofola, mbajtëse çelësash, çanta dore, kapele, ora me mbishkrime të ndryshme, dylbi plastike, parfume dhe bizhuteri argjendi, për të cilat nevojitet të kryhen verifikime të tjera pasi dyshohet se një pjesë e tyre janë futur kontrabandë.
Është shkuar në adresën e subjektit “BUM.AL” me adresë të deklaruar të ushtrimit të aktivitetit rruga “Frederik Shiroka”. Pasi shërbimet e policisë kanë mbërritur në adresë kanë konstatuar qepenat e mbyllur të këtij subjekti. Pamja e ambienteve të brendshmë të subjektit, përtej qepenave, ka qenë e kufizuar dhe jo plotësisht e qartë. Me sy të lirë janë evidentuar disa rafte, komodina, të cilat duken bosh si dhe disa sende përtokë.
Logo në afërsi të qepenave nuk evidentohen ashtu si reklamohet në rrjetet sociale dhe në dukje nuk ka pasur mallra të reklamuar për shitje. Në pamundësi për të hyrë në subjekt dhe për të ekzekutuar vendimin e Gjykatës, është telefonuar administratori sipas ekstraktit të Qendrës Kombëtare të Biznesit, shtetasi Astrit Kalaja. Atij i është kërkuar që të paraqitet në subjekt, por është përgjigjur se ndodhej në qytetin e Sarandës dhe se nuk kishte mundësi objektive për t’u paraqitur brenda ditës, por se do të paraqitej të nesërmen, datë 17.10.2024. Për sa më sipër është përpiluar raporti përkatës i shërbimit dhe i janë bashkëlidhur fotografitë e konstatimeve të kryera në vend. Është marrë deklarim nga shtetasi Astrit Kalaja, i cili shprehet se ka qenë administrator i subjektit “Bum.al” prej vitit 2022.
Ky subjekt ai thotë se është regjistruar në vitin 2017 dhe ka pasur objekt pune tregtimin e mallrave online, fizikisht, me shumicë, pakicë etj. Ai shprehet se në datën 30.09.2024 ose 01.10.2024 subjekti ka nisur procedurat e mbylljes së adresës në fjalë për arsye se shitjet me pakicë aty nuk arrinin pritshmëritë. Shtetasi ka vendosur në dispozicion faturën tatimore të datës 04.10.2024, me shitës “Bum.al shpk” dhe blerës “Joena”, në të cilën janë të listuar një sërë produktesh.
Është ushtruar kontroll në subjektin “Fationa Qypi”, me adresë të ushtrimit të aktivitetit rruga “Aleksandër Goga”, Lagjja nr. 6, Durrës. Gjatë inventarit fizik ka rezultuar se gjendja fizike e mallit nuk rakordon me inventarin kontabël pasi del një diferencë negative në vlerën e 1 153 963 Lekë (një milion e njëqind e pesëdhjetë e tre mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e tre).
Është ushtruar kontroll në subjektin “Leonard Filja”, me adresë të ushtrimit të aktivitetit rruga “Selaudin Zorba”, Njësia Bashkiake nr. 4, Tiranë. Në momentin e paraqitjes së shërbimeve të policisë dhe specialistëve të administratës tatimore në subjekt, subjekti ka thënë fillimisht se do të paraqitej, por më pas ka humbur çdo kontakt. Është bërë e mundur hapja e subjektit duke mbajtur procesverbalin përkatës dhe nga administrata tatimore është mbajtur Akt Konstatimi, si dhe është kryer inventarizimi fizik ku në total kanë rezultuar 77 (shtatëdhjetë e shtatë) lloj artikujsh. Akti i konstatimit do t’i nënshtrohet verifikimeve të mëtejshme nga organet tatimore për të përcaktuar gjetjet përkatëse lidhur me inventarin.
Ka filluar kontrolli në subjektin “Lux Moda Market” me adresë të ushtrimit të aktivitetit në rruga “Dibrës”, rruga “Bajram Curri”, rruga “Kavajes”, rruga “Nikolla Tupe” dhe rruga “Aleksandri i Madh” me emërtimet “Lux Moda Market” dhe “Lux Moda Intimo”.
Ka filluar kontrolli në subjektin “D.A.M shpk” me adresë të ushtrimit të aktivitetit rruga “5 Maji”.
Ka filluar kontrolli në subjektin “I Shpejti” me adresë të ushtrimit të aktivitetit rruga “Nikolla Lena”, Tiranë”-thuhet në dokumentin e siguruar nga WebLajm.