Emigracioni në Shqipëri ka marrë përmasat e një gangrene, e cila ka mbetur pa një diagnozë, e për rrjedhojë edhe pa një kurë se si mund të fashitet para se efektet të jenë të pandreqshme.
Një sondazh i “Monitor” me 1044 persona (857 jetojnë në vend dhe 187 jashtë) i cili u zhvillua për rreth një muaj, nga data 11 shtator, zbuloi një trend të ri të emigrimit të personave të arsimuar dhe në gjendje të mirë ekonomike. Mbi 94% e pjesëmarrësve ishin me arsim të lartë dhe gati gjysma ishin me gradë PHD dhe 57 doktorantë. Nga të anketuarit që jetonin në Shqipëri, 40% kishin bërë gati planet dhe infrastrukturën për t’u larguar gjatë dy viteve në vijim. 33% e atyre që pohuan se kanë menduar të largohen i takojnë grupmoshës 40-49 vjeç, 38.5% grupmoshës 30-39 vjeç.
Ndryshe nga popullata e përgjithshme që shikon si arsye kryesore të emigrimit, statusin ekonomik dhe punësimin, në shtresën e mesme dhe te profesionistët, arsyeja kryesore pse kanë vendosur të largohen nga Shqipëria është mungesa e shpresës se gjërat mund të përmirësohen dhe gjithashtu vlerësojnë të rëndësishme mungesën e cilësisë në shërbimet shëndetësore dhe arsimore. Ja të gjitha arsyet që po largojnë shtresën e mesme.
Hemorragjia e ikjeve që nisi me shembjen e sistemit komunist në vitin 1990 vijon të jetë e fortë edhe pas më shumë se 30 vitesh dhe së fundmi po gjen përhapje në kategorinë e të arsimuarve dhe profesionistëve që përfaqësojnë shtresën e mesme.
Një sondazh i “Monitor”, që nisi më 11 shtator të këtij viti dhe zgjati rreth një muaj, ku u intervistuan 1044 persona rreth arsyeve që çojnë individët dhe familjet të largohen nga Shqipëria, tregoi për një pakënaqësi të lartë me standardet e jetës në Shqipëri, mungesën e perspektivës për të ardhmen, cilësinë e dobët në arsim dhe shëndetësi, korrupsionin e lartë etj.
Sondazhi i zhvillua online, përmes platformës ECR (Engaged Citizens Reporting- Angazhimi i qytetarëve në raportim). Kampioni është rastësor dhe nuk përbën gjetje shkencore.
Nga totali i të anketuarve 857 persona (82%) jetonin në Shqipëri dhe 187 (ose 17.9%) jetonin jashtë vendit.
Rezultatet e intervistave treguan për një emigracion potencial të lartë në mesin e të shkolluarve. Mbi 94% e pjesëmarrësve (984 persona kishin arsimin e lartë, nga të cilët 478 me gradë PHD dhe 57 doktorantë).
Nga të anketuarit që jetonin në Shqipëri 89.7 kishin menduar largimin nga Shqipëria si një opsion, ndërsa vetëm 88 persona ose 10% e atyre thanë se nuk kishin menduar asnjëherë largimin nga vendi.
Pyetjes “keni ndonjë plan konkret për t’u larguar nga vendi brenda 2 viteve të ardhshme?” i dhanë përgjigje 769 persona që jetojnë në Shqipëri, ku 40.6% e tyre (312 persona) pohuan se do të largohen nga Shqipëria në dy vitet e ardhshme.
Gjysma e të anketuarve, 54.8%, nuk do të largoheshin nga vendi për një pagë bruto jo më të vogël se 2000 euro.
Më shumë se 60% mendojnë se duhet të ulet korrupsioni për të zvogëluar emigrimin e të rinjve dhe gjithashtu përmirësimi i shërbimit arsimor dhe shëndetësor konsiderohet nga gati gjysma e të anketuarve.
“Në fakt, largimi i shtresës së mesme dhe njerëzve që janë në punë është jashtëzakonisht i rrezikshëm për një vend. Këtu në vendin tonë, kjo shtresë nuk largohet për para apo për vend pune, pasi tani punë gjen ku të duash.
Por largohet për një shoqëri më të mirë, më të kulturuar dhe më njerëzore, diçka që nuk e blen dot edhe sikur të paguhesh 100,000 euro në muaj. Largimi për këtë arsye është pa kompromis page dhe pasurie. Ndaj, sa të jetë kjo arsye nuk do të ketë ndonjëherë metodë frenimi për largimin”, – u përgjigj një nga anketuarit.
Sondazhi i “Monitor” evidentoi se nga 187 të intervistuar që jetonin jashtë vendit, mbi 57% nuk kanë plan të kthehen në Shqipëri ose maksimumi do të vizitojnë vendin për pushime. Vetëm 2.1% kishin plane të afërta për rikthim dhe 23.5% pas disa vitesh.
40.6% kanë vendosur të ikin në dy vitet në vijim
Tendenca për të emigruar është më e fortë në mesin e personave të arsimuar treguan rezultatet. Rreth 90% e 857 personave të anketuar në Shqipëri thanë se kishin menduar të emigronin, por 40% e tyre tashmë kishin plane dhe po përgatiten për t’u larguar në dy vitet në vijim.
Emigracioni potencial duket se është shumë i lartë në popullsinë e mirarsimuar. Emigrimi potencial në shtresën e mesme duket se është më i lartë në popullsinë e zakonshme./Monitor