Rodri është fituesi i Topit të Artë 2024!
Mesfushori spanjoll ka lënë pas Vinicius Junior dhe Jude Bellingham për t’u shpallur si lojtari më i mirë i këtij viti.
Një çmim ky i mbushur me polemika, me rrjetin që ka “shpërthyer” në protesta, pasi si fitues deri disa orë më parë shihej braziliani i Realit.
Madje dhe klubi Los Blancos vendosi që të bojkotonte ceremoninë e mbajtur në Paris, me asnjë lojtar, staf ose drejtues që nuk udhëtoi drejt kryeqytetit francez.
Rodri u shpall kampion i Anglisë me Manchester Cityn, i cili gjithashtu fitoi dhe Kupën e Botës për Klube me “Qytetarët”, teksa “qershia mbi tortë” për të ishte Europiani i Gjermanisë, ku u shpall kampion me Spanjën.
Ky është Topi i parë i Artë për Rodrin pas dy nominimesh, i cili u ngjit me paterica në skenë për të marrë trofeun prestigjioz, kjo pas një dëmtimi të rëndë që do e lërë atë jashtë për pjesën tjetër të sezonit.
Gjithashtu këtë mbrëmje u ndanë dhe çmime të tjera. Aitana Bonmati fitoi për të dytin vit radhazi Topin e Artë për Femra, me futbollisten e Barcelonës që shkëlqeu sezonin e kaluar.
Carlo Ancelotti u shpall “Trajneri më i Mirë”, ndërsa trofeu “Kopa” shkoi për Lamine Yamal, si lojtari më i mirë nën 21 vjeç. Sa i përket trofeut “Yashin” për portierin e vitit, fitues u shpall Emiliano Martinez. Real Madrid fitoi çmimin “Klubi më i Mirë për Meshkuj”, ndërsa Barcelona fitoi “Klubi më i Mirë për Femra”./ SuperSport