Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) ka zgjeruar listën e destinacioneve duke shtuar fluturimet drejt Salernos dhe Stuttgard-it. Këto dy fluturime të Wizz Air, janë një mundësi unike udhëtimi për pasagjerët që kërkojnë të eksplorojnë disa nga destinacionet më tërheqëse të Evropës.TIA, aeroporti me rritjen më të madhe ne Evropë përsa i përket numrit të pasagjerëve është tashmë një lidhës kryesor në Ballkan për udhëtarët drejt Evropës, Lindjes së Mesme dhe më gjerë.
Me fluturime direkte drejt 118 destinacioneve dhe investimet e vazhdueshme në përmirësimin e proçeseve aeroportuale, aeroporti i Tiranës ofron mundësi të shumta për të gjithë udhëtarët nga vendi, rajoni dhe më gjerë. Fluturimet për në Salerno Costa d’Amalfi do të jenë dy herë në javë, çdo të mërkurë dhe të diel, duke nisur nga 27 tetori, me çmime që fillojnë nga 19.99 EUR .
Ndërsa fluturimet për në Stuttgart do të fillojnë më 29 tetor dhe do të jenë tri herë në javë, çdo të martë, të enjte dhe të shtunë, me çmime që nisin nga 29.99 EUR.Aeroporti Salerno Costa d’Amalfi është i pozicionuar në mënyrë të përshtatshme për të lejuar udhëtarët të kenë akses lehtësisht drejt destinacioneve të njohura si Positano, Amalfi dhe Ravello, duke ofruar një mundësi ekskluzive për të vizituar vijën mbresëlënëse bregdetare, kulturën dhe kuzhinën me famë botërore.
Stuttgart është një qendër kryesore për industrinë automobilistike dhe një destinacion joshës për ata të cilët janë të apasionuar pas historisë, kulturës dhe kuzhinës vendase. Vizitorët mund të shijojnë muzetë e famshëm siç është ai i Mercedes-Benz dhe Porsche, të cilët tërheqin turistë nga e gjithë bota.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, nën menaxhimin e Kastrati Group, mbetet i angazhuar për të përmirësuar më tej eksperiencën e udhëtarëve, duke investuar vazhdimisht në përmirësime teknologjike për të mbështetur rritjen e numrit të pasagjerëve dhe ruajtjen e standarteve më të mira të shërbimit; një rikonfirmim i pozicionit kyç si qendër udhëtimesh për të gjithë rajonin.