Rreth 9 mijë biznese kanë rritur fondin e pagave me rreth 1.25 miliardë lekë në tetor, si një reagim ndaj nismës anti-informalitet në tregun e punës që ka nisur Administrata Tatimore. Gjithashtu, të ardhurat nga kontributet ishin 6% më të larta se plani në tetor.
Sipas një njoftimi zyrtar, më 1 tetor Administrata Tatimore u ka dërguar një njoftim të përgjithshëm (pop-up) 130 mijë tatimpaguesve në Republikën e Shqipërisë, të regjistruar deri në fund të shtatorit 2024. Mesazhi kishte në fokus ndërgjegjësimin dhe nxitjen e tatimpaguesve për deklarim të saktë në listëpagesat e tyre deri më 20 tetor, datë që përkonte me dorëzimin e deklaratës së listëpagesës për muajin shtator.
Pas këtij njoftimi për nismën e qeverisë shqiptare kundër informalitetit të pagave, me pasoja në pensionet e qytetarëve, Administrata Tatimore njoftoi se kishte analizuar mbi bazën e riskut të gjitha listëpagesat e deklaruara për të identifikuar tatimpaguesit që kanë reflektuar dhe tatimpaguesit me riskun e mosdeklarimit real të pagave.
Si rezultat i kësaj fushate, 9.000 tatimpagues kanë reaguar pozitivisht duke reflektuar saktësi në deklaratat e listëpagesave të tyre, pas njoftimit të parë të Administratës Tatimore, duke rritur fondin e deklaruar të pagave me një total prej 1.25 miliardë lekësh.
Gjithashtu, për muajin tetor 2024, Administrata Tatimore ka arritur një rritje të ndjeshme në mbledhjen e kontributeve, duke grumbulluar 819 milionë lekë, ose 6% më shumë se plani i parashikuar.
Pas rezultateve të arritura nga analiza e të gjitha listëpagesave të deklaruara në muajin tetor 2024, Administrata Tatimore ka identifikuar 37.331 tatimpagues me risk në fushën e informalitetit të pagave, ata të cilët pavarësisht njoftimit të parë nuk kanë reaguar ende.
Për këta 37.331 tatimpagues, DPT ka dërguar një tjetër njoftim (pop-up), këtë herë të personalizuar, për t’u dhënë bizneseve mundësinë e dytë dhe të fundit për të reaguar; në të kundërt do të jenë objekt kontrolli dhe monitorimi në zbatim të Ligjit 9920/2008, ‘Për Procedurat Tatimore në RSH’, i ndryshuar dhe Ligjit Nr. 7961, datë 12.7.1995, ‘Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë’, i ndryshuar, thuhet në njoftim./ Monitor