Veprimet nëpërmjet kanaleve elektronike e rritën më tej peshën e tyre kundrejt totalit të pagesave bankare në tremujorin e tretë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, nga rreth 3.9 milionë transferta kreditimi të kryera nga klientët e sektorit bankar në tremujorin e tretë, 63% e tyre ose pothuajse 2.5 milionë veprime në total u kryen në formë jo-letër.
Pesha e veprimeve nga kanalet elektronike shënoi rritje të mëtejshme krahasuar me tremujorin e mëparshëm, kur pagesat elektronike përbënin rreth 61% të numrit total të transfertave bankare të kreditimit dhe krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, ku përbënin 58.5%.
Për të gjithë 9-mujorin 2024, pesha e pagesave elektronike arriti në 61% të totalit të transfertave, nga 57% që zinte një vit më parë. Ndërkohë, gjatë tremujorit të tretë të vitit u regjistrua edhe një rritje e peshës specifike të transfertave elektronike në vlerë. Rreth 41% e vlerës së përgjithshme të transfertave u krye nëpërmjet veprimeve elektronike në distancë, nga 39% e që kishte qenë pesha e tyre në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Transfertat në formë jo-letër përfshijnë transferta që kryhen pa praninë fizike të klientit në bankë, kryesisht nëpërmjet shërbimeve të internet banking dhe mobile banking.
Zhvendosja e transfertave bankare drejt kanaleve elektronike është një pikë të rëndësishme kthese në marrëdhënien e publikut shqiptar me shërbimet bankare. Që prej vitit të kaluar, veprimet e internet banking dhe mobile banking kanë kaluar numrin e veprimeve që kryhen fizikisht në sportelet e bankave. Ndërkohë, pesha e tyre është në rritje të vazhdueshme edhe në vlerë.
Në fund të vitit 2023, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në në pothuajse 1.1 milionë mijë, në rritje vjetore me pothuajse 25%. Vlerësohet se tashmë 34% e llogarive bankare aktive janë të aksesueshme nga interneti, nga 28.2% që kishte qenë ky tregues në fund të vitit 2022.
Më shumë se 90% e numrit të llogarive bankare të rezidentëve të lidhura me internetin i takojnë individëve. Megjithatë, rritja më e madhe e llogarive të lidhura me internet vitin e kaluar u shënua në segmentin e bizneseve, me 25% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Përdorimi i kanaleve online kursen kohë dhe është një zhvillim i rëndësishëm për shmangien e radhëve të klientëve në sportelet e bankave, duke i shfrytëzuar këto sportele vetëm për marrjen e atyre shërbimeve dhe produkteve ku prania fizike është vërtet e domosdoshme.
Aktualisht, të gjitha bankat tregtare në Shqipëri e ofrojnë shërbimet e bankingut në distance. Kjo nënkupton se çdo klient i sektorit bankar ka në dispozicion një kanal alternativ për kryerjen e pagesave dhe marrjen e shërbimeve të tjera, pa qenë nevoja për shkuar domosdoshmërisht në degë.
Përdorimi i pagesave nga kanalet elektronike është nxitur edhe nga Banka e Shqipërisë. Që prej qershorit të vitit 2020, të gjitha transfertat ndërbankare deri në vlerën e 20 mijë lekëve që kryhen nëpërmjet kanaleve elektronike duhet të ofrohen nga bankat pa asnjë komision.
Ndërkohë, për shumat më të mëdha transfertat elektronike kanë komisione të paktën 50% më të lira krahasuar me ato që kryhen nga sportelet e bankave. E njëjta politikë u ndoq edhe në rregulloren për transfertat kombëtare në euro, ku komisionet për transfertat elektronike duhet të jetë maksimalisht sa 50% e komisioneve të pagesave që kryhen në degët e bankave./Monitor