Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Laert Haxhiun, i shpallur fajtor për atë që njihet si “Masakra e Lushnjes”.
Për të mbrojtur akuzën, në seancë u paraqit vetë Altin Dumani. Laert Haxhiu nuk ishte i pranishëm fizikisht, por u përfaqësua nga avokati i tij, ndërsa në sallë ishte i ati i tij.
Avokati Detar Hysi kërkoi rishikimin e çështjes dhe anulimin e dënimit me burg të përjetshëm, duke theksuar se, sipas tij, Laert Haxhiu është i pafajshëm dhe çështja duhet të rigjykohet në Shkallë të Parë nga një trupë gjyqësore e re.
Nga ana tjetër, kreu i SPAK, Altin Dumani, mbështeti vendimin e Shkallës së Parë, duke thënë se ai është i drejtë dhe se viktimat Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha u vranë pa arsye, pasi objektivi i vërtetë ishte Xhuljo Shkurti, me të cilin Haxhiu kishte pasur një konflikt të gjatë.
Haxhiu u dënua me burgim të përjetshëm në mungesë më 24 prill të këtij viti nga Gjykata e Posaçme për ngjarjen që tronditi Lushnjen në vitin 2017. Në atë kohë, në një lokal në qendër të qytetit, Latifi dhe Hoxha u qëlluan për vdekje me armë automatike, ndërsa pronari i lokalit dhe një kalimtar mbetën të plagosur aksidentalisht.
VENDIMI
R E P U B L I K A E S H Q I P Ë R I S ËGJYKATA E POSAÇME E APELIT PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR
Tiranë, më datë 13.11.2024
KOMUNIKIM PËR MEDIANGjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Saida Dollani (anëtare) dhe Tereza Merkaj (anëtare), më datë 13.11.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 49 akti, datë 09.09.2024 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit/të pandehurit L.H., kundër vendimit nr. 26, datë 24.04.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:1. Deklarimin fajtor të të pandehurit L.H. për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim” për hakmarrje, mbetur në tentativë ndaj viktimës Xh.Sh., kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 78 paragrafi i dytë, në lidhje me nenet 22 dhe 28 pika 4 të K.Penal si dhe në bazë të nenit 334 pika 2 të Kodit Penal, dënimin e tij me 25 (njëzet e pesë) vjet burgim.2. Deklarimin fajtor të të pandehurit L.H. për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” ndaj dy ose më shumë personave, ndaj viktimave Z.L., J.H., B.T. dhe M.Xh., kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 79/dh, në lidhje me nenin 28 pika 4 të K.Penal si dhe në bazë të nenit 334 pika 2 të Kodit Penal, dënimin e tij me burgim të përjetshëm.3. Deklarimin fajtor të të pandehurit L.H. për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa lejë dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 278 paragrafi i parë, në lidhje me nenin 28 pika 4 të K.Penal si dhe në bazë të nenit 334 pika 1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.4. Deklarimin fajtor të të pandehurit L.H. për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i parë i K.Penal, dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.5. Pushimin e akuzës penale në ngarkim të të pandehurit L.H. për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 274, në lidhje me nenin 28 pika 4 të K.Penal, pasi ndjekja penale nuk duhet të fillonte.6. Në aplikim të nenit 55 paragrafi i parë i K.Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit L.H. me një dënim të vetëm, atë me burgim të përjetshëm.7. Vuajtja e dënimit për të pandehurin L.H. të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së lartë.8. Shpenzimet procedurale gjatë fazës së hetimit i lihen në ngarkim të pandehurit L.H. në mënyrë solidare bashkë me të dënuarit O.B. dhe A.K., ndërsa shpenzimet e gjykimit i lihen në ngarkim të pandehurit L.H..9. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga palët brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 26, datë 24.04.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.2. Shpenzimet e procedimit penal në ngarkim të të pandehurit z. L.H. 3. Kundër vendimit lejohet rekurs brenda 45 ditëve në Gjykatën e Lartë, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar.